Enno Bozdo, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se nëse do të ishte në vend të kryeministrit Edi Rama do të jepte dorëheqjen.
Duke folur për foltoren para Kryeministrisë, Bozdo u shpreh: “E rëndësishme është komunikimi me qytetarët, ngjallja e nervit të reagimit shoqëror. Kjo është gjëja më e rëndësishme ku është fokusuar objektivi i kësaj foltoreje. Nëse do isha në godinën përballë, mendoj që do kisha dhënë dorëheqjen me kohë. Erion Veliaj sot është në atë vend që është. Lëvizje të tilla gjithmonë janë marrë me skepticizëm. Pastaj, kur kanë prodhuar atë që kanë prodhuar, njerëzit i kanë dhënë të drejtë strategjisë së Partisë Demokratike. Në realitetin e sotëm nuk kanë shumë rëndësi numrat sesa ka rëndësi konsistenca dhe këmbëngulja dhe vazhdimi i komunikimit me opinionin publik”.
“Kjo është një maratonë dhe nuk është një garë shpejtësie”, theksoi më tej Bozdo në Off the Record me Andrea Dangllin.
Sipas tij, ndërkombëtarët i kanë dhënë PD-së një mbështetje tërësore, të “padëgjuar ndonjëherë më parë”.
“Kur Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Popullore Evropiane e cilëson qeverinë e Edi Ramës një narkoshtet, mendoj se i ka thënë të tëra. Asnjëherë nuk ka ndodhur në këto 18 muajt e fundit që Partia Demokratike denoncon me prova dhe me fakte narkoshtetin e Edi Ramës, të cilësohet në këtë mënyrë nga një zyrtar kaq i lartë që përfaqëson grupimin më të madh politik në Evropë. Lajmi i vërtetë ka qenë ekzaktësisht rezoluta ku Shqipëria u rendit e treta në katër prioritetet globale. Kemi të bëjmë me
një situatë tërësisht të përmbysur në planin ndërkombëtar. E dyta, foltore të tilla nuk përjashtojnë protesta të mëdha dhe protesta shumë të mëdha. Ato do bëhen në çastin e duhur, në momentin e duhur. E rëndësishme është objektivi dhe nuk duhet të shfokusohemi nga objektivi. Objektivi është Edi Rama”, tha Bozdo. (A2 Televizion)
