
Deputetja demokrate Ina Zhupa, në deklarata për A2CNN, theksoi se ideja e formatit të “Foltores së dytë” nuk ka qenë të mëshonte te pjesëmarrja, “por ka qenë te dhënia e mundësisë qytetarëve dhe deputetëve që në 10 seanca nuk patën mundësi që të diskutonin për hallet e qytetarëve”.
“Ideja e këtij formati nuk ka qenë të mëshonte te pjesëmarrja, te numrat, siç janë protestat kombëtare, por ka qenë te dhënia e mundësisë qytetarëve dhe deputetëve që në 10 seanca nuk patën mundësi që të diskutonin për hallet e qytetarëve, në një tribunë parlamenti qytetar për të shprehur problemet e tyre dhe për të marrë vëmendjen mediatike. Sot, për shkak të korrupsionit kryelajmet ngelen lajmet e SPAK-ut dhe pak merr vëmendje situata e përmbytjeve, minatorëve apo mësuesve. Prandaj kemi zgjedhur foltoren”, tha Zhupa.
Kur u pyet se kur do të ndalojë protesta e opozitës, Zhupa u përgjigj: “Kemi zgjedhur ta mbajmë foltoren para Kryeministrisë dhe jo para ndonjë ministrie të caktuar sepse e keqja e madhe është Edi Rama. Foltorja nuk ka afat. Është e domosdoshme që qytetarët të kenë hapësirë për të folur, për të kthyer vëmendjen te çështjet e tyre dhe për të thënë se në këtë vend nuk ka ndjekje të interesit publik sa kohë në krye të qeverisë është Edi Rama”.
Në lidhje me një protestë të mundshme kombëtare, Zhupa tha: “Më shumë se protesta e madhe, ka rëndësi mënyra si do të transmetohet interesi i qytetarëve”. (A2 Televizion)
