
Në Shqipëri po ndodh një lëvizje tektonike që po shkakton dëme në krahun e mazhorancës. Kështu u shpreh në studion e Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, gazetari Bledian Koka, sipas të cilit PD po normalizon marrëdhëniet me ndërkombëtarët.
“Në Shqipëri po ndodh një lëvizje tektonike që po shkakton dëme në krahun e mazhorancës. Besoj që PD tashmë raportet me ndërkombëtarët sa vjen dhe i normalizon. Herën e fundit zv.ndihmëssekretari i shtetit takoi si zyrtarët e drejtësisë, qeverisë dhe ata të opozitës. SHBA në atë takim ka edhe disa mesazhe, pjesë e tyre është edhe ky aksion i PD”, tha Koka në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
I pyetur për numrin e ulët të protestuesve para kryeministrisë, gazetari theksoi se protesta e opozitës është e ngjashme me atë para bashkisë kundër Erjon Veliajt.
“Ky aksion kërkon largimin e zotit Rama. A do ta arrijë këtë nuk di ta them. Kjo është ngjashme me protestën e zotit Veliaj. Ishin 46 protesta që i dhanë të drejtën opozitës. Ajo protestë ishte si pika që gdhendi gurin. Ndryshe nga protesta e Veliajt këtë herë ka vendosur një aksion tjetër i cili nuk është pompoz, por ka mesazh dhe ka qëllim”. (A2 Televizion)
