Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, i ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, u shpreh se plani ishte për një protestë edhe më të gjatë ditën e djeshme.
Sipas deputetit demokrat, “protesta e djeshme ishte parashikuar edhe më e gjatë, por përdorimi i gazit lotsjellës e prishi standardin dhe shkurtoi edhe fjalimin e liderit të opozitës”.
“Nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që gazi lotsjellës hidhet brenda selisë së PD-së, hidhet brenda xhamisë më të madhe në Shqipëri, të mbushur me besimtarë, nuk ka ndodhur që të shkosh me duar në xhepa para Kuvendit dhe përdoren të gjitha mjetet e dhunës”, shpjegoi Mziu.
“Ishit dëshmitarë vetë që një koleg yni (Luçiano Boçi) u dërgua në spital me djegie në dorë. Ka një sjellje që mund të krahasohet vetëm me regjimin Iranian”, shtoi Mziu.
Sipas tij, “protesta e radhës do të jetë shumë shpejt, por e rëndësishme është që trendi është i pandalshëm, madje mund të shkohet për të qenë edhe më e gjatë dhe të jenë më të shpeshta”.
(A2 Televizion)