Zv.kryeministër i Parë i Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti dha sot lajmin që provimi i jurisprudencës për studentët shqiptarë do të mbahet në gjuhën shqipe.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Mexhiti tha se është biseduar me kryeministrin Mickoski, dhe ai ka premtuar që do të rregullohet si çështje.
Mexhiti shtoi se nuk do të përfshihen vetëm provimet për jurisprudencën, por edhe për profesione të tjera që kërkojnë marrje të licencës.
“Sot na është premtuar që do rregullohet edhe çështja e provimeve të jurisprudencës. Provimet profesionale që në të kaluarën, kanë qenë në gjuhën maqedonase. Ne kemi arritur në dy vite, me këto rrethana dhe numra, të zgjidhim çështje që nuk janë zgjidhur në 20 vite. Sot e deklaruam, është marrëveshja e partnerëve në qeveri, që s’do zgjidhet vetëm çështja e provimeve të jurisprudencës, por të gjitha provimet profesionale, sepse ka provimeve për licencat e arkitektëve, për kontabilistët dhe shumë fusha të tjera. Do t’i përmbushim shumë shpejt, edhe pse numrat s’janë në favorin tonë”, tha Mexhiti. (A2 Televizion)