Dora e shtrirë për drejtësinë, Rama letër togave të zeza: Ju pres në kryeministri për konsultime

Nga Anesti Barjamemaj
21 Shtator 2026, 13:19 | Politikë

Ligji i ri për pagat e magjistratëve u votua në Kuvend e tashmë ka nisur edhe të zbatohet. Ndërkohë togat e zeza kanë njoftuar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar pasi nuk janë të kënaqur me formulën e zgjedhur nga Parlamenti për rritjen e pagave.

Teksa lufta e ftohtë qeveri-gjyqësor vijon, Kryeministri Edi Rama kërkon edhe një herë që paqja të arrihet me dialog, ku me anë të kësaj letre i fton togat e zeza në tryezë.

“Kryeministri, z. Edi Rama ju fton në një tryezë të përbashkët konsultimi, si pikënisje e një procesi të hapur konsultimi, dialogu dhe bashkërendimi ndërinstitucional, me synim diskutimin e përbashkët të parimeve dhe elementeve mbi të cilat mund të ndërtohet një mekanizëm i qëndrueshëm, koherent dhe i parashikueshëm për përcaktimin e pagave në sistemin e drejtësisë, sipas standardeve evropiane”.

Pas ftesës së bërë me zë një ditë pas votimit në seancë, u nisi dhe një Letër e cila u ka shkuar gjyqtarëve, prokurorëve dhe të gjitha shoqatave, ku sipas ekzekutivit synohet të gjendet gjuha e përbashkët.

“Nëpërmjet këtij procesi konsultimit synohet të arrihet një qasje e përbashkët institucionale për një mekanizëm pagash që kontribuon në konsolidimin e pavarësisë, integritetit dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë, duke siguruar rregulla të qarta dhe objektive për përcaktimin dhe rishikimin periodik të tyre”.

Takimi parashikohet që të zhvillohet në Kryeministri në 28 Shtator ora 12:30. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos