“Kuvendi nuk bën ligje me porosi”, Balla: Drejtohuni organeve të drejtësisë. Mbyllja e negociatave me BE brenda 2027

Nga A2 CNN
21 Shtator 2026, 12:34 | Politikë

“Kuvendi nuk bën ligje me porosi”, Balla: Drejtohuni organeve

Në fjalën e tij në  mbledhjen e Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Taulant Balla hodhi poshtë pretendimet se Kuvendi miraton ligje me porosi, duke theksuar se çdo palë që ka pretendime mund t’u drejtohet institucioneve të drejtësisë. Sa i përket Reformës Administrative Territoriale, Balla sqaroi se komisionit të posaçëm i ka përfunduar mandati dhe se procedura tashmë ka kaluar në fazën e shqyrtimit parlamentar. Sipas tij, reforma synon riorganizimin e njësive administrative nga 61 në 46.

Ai mbrojti gjithashtu Ligjin e Paketës së Maleve, duke e konsideruar atë një instrument të rëndësishëm për zhvillimin e agroturizmit dhe ekonomisë në zonat malore të vendit.

“Nuk është e vërtetë që Kuvendi bën ligje me porosi. Është çështje këndvështrimesh dhe jeni të mirëpritur t’u drejtoheni organeve të drejtësisë. Sa i takon Paketës së Maleve do t’i japë zonave të ndryshme mundësi zhvillimi për një sektor që është jetik për ne, agroturizmi. Për territorialen, duhet të jemi korrekt: atij komisioni i përfundoi mandati dhe nuk pati dakordësi për zgjatjen e afatit. Procedura parlamentare nuk ka përfunduar, sapo ka kaluar në fazën e shqyrtimit në parlament. Nuk është një reformë e thellë, kalohet nga 61 në 46”, tha Balla.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së vlerësoi edhe faktin që opozita votoi një prej ligjeve të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian, duke shprehur shpresën që bashkëpunimi të vijojë edhe në seancat e ardhshme parlamentare për paketën e ligjeve të integrimit.

Sipas Ballës, procesi i integrimit europian të Shqipërisë ka hyrë në një fazë të re, pas hapjes së të gjithë grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Europian. Ai nënvizoi se faza aktuale kërkon jo vetëm miratimin e legjislacionit të përafruar me standardet europiane, por mbi të gjitha zbatimin e tij në praktikë dhe rezultate konkrete për qytetarët.

“Sa më shumë i afrohemi përfundimit të negociatave, aq më shumë fokusi duhet të kalojë nga ligji i miratuar tek ligji i zbatuar, nga angazhimi i marrë te rezultati i pritshëm dhe nga standardi i shkruar tek standardi që qytetari ta ndjejë në jetën e përditshme”, u shpreh Balla.

Në cilësinë edhe të bashkëkryetarit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri deklaroi se objektivi i Shqipërisë është përfundimi i negociatave të anëtarësimit brenda Krishtlindjeve të vitit 2027, me synimin për t’u bërë pjesë e familjes europiane brenda vitit 2030.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos