
Kryeministri Edi Rama vlerësoi rolin e pensionistëve në politikën shqiptare, pasi sipas tij e njohin politikën më mirë se të tjerët. “Prandaj në shumicë dërmuese votoni që kjo qeveri të vazhdojë punën se e njihni më mirë politikën se të tjerët. Dhe duke qenë se ju e ndiqni politikën aktivisht dhe e njihni politikën më mirë se 99% e deputetëve të parlamentit të Shqipërisë, unë dua të them diçka tjetër që kemi pasur një rrugë të vështirë edhe për një arsye që siç e shihni është gjithmonë më e pranishme. Gjërat që ndodhin jashtë vullnetit tonë, gjërat që nuk i vendosim ne, po duhet t'i përballim, që nga pandemia e tërmeti, tek lufta në Ukrainë dhe tani tek lufta në Lindjen e Mesme, që vjen këtu tek çmimi i naftës, i cili befasisht kërcen jashtë çdo lloj parashikimi dhe që shpresojmë që ai armëpushimi 15 ditor, të çojë në një zgjidhje përfundimtare përpara se sa ai çmimi i naftës, simptoma e parë, të shfaqet pastaj edhe tek çmimet e ushqimeve dhe nëse do shfaqet te çmimet e ushqimeve dhe do të jetë diçka me të cilën ne duhet të përballemi, sigurisht që ne gjëja e parë që do mendojmë jeni ju pensionistët, patjetër, të tjerët vijnë mbrapa”, tha Rama, përcjell A2 CNN.
Kryeministri tha se pensionistët janë të parët që kanë nevojë që janë në mbrojtjen ekonomike të qeverisë, prandaj qeveria po përgatit një skemë të re të bazuar tek një kartë e shpenzimeve familjare në bazë të shportës. “Në mënyrë që ato lekë që ata marrin nga taksat e shqiptarëve të shkojnë për familjen, për fëmijët e tyre dhe asnjë lek të mos përfundojë në pijetore apo të mos shkojë në bixhoz dhe kjo është e rëndësishme”, tha Rama.
“Por ndërkohë duke bërë këtë ato lekë të cilat përmes kartës do të mund të shpenzohen me artikujt bazë në çdo lloj dyqani, në çdo lloj pike ku blihen ushqime të jenë të gjitha me TVSH në mënyrë që ajo TVSH-ja, që sot në shumë raste merret mënjanë nga shitësi të shkojë prapë në buxhet dhe nga ai buxhet të kthehet tek ju, të kthehet tek ata dhe jo të merret dhe t'i fshihet shtetit nga shitësi”. (A2 Televizion)