
Partia Demokratike akuzoi qeverinë për aferë korruptive me projektin e Portit të ri tregtar në Porto Romano. Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se projekti përbën vjedhje publike dhe se kostot do të bien mbi taksapaguesit shqiptarë. Ai paralajmëroi gjithashtu për pasoja në procesin e integrimit evropian dhe premtoi mbrojtje të kësaj pasurie për qytetarët e Durrësit dhe gjithë vendit.
Lidershipi demokrat zbarkoi në Durrës sot për atë që e ka cilësuar që në krye të herës aferë të madhe korruptive në vend, Portin e Durrësit, si atë turist edhe atë tregtar. Kreu i demokratëve, Sali Berisha, tha se ky port është një nga pasuritë më të mëdha që kanë shqiptarët, por transformimi i tij, siç akuzon Berisha është vjedhje e qeverisë Rama në bashkëpunim me grupe kriminale.
“Durrësi dilte port kryesor. Dhe këtij i vuri syrin e ciklopit Edi Rama dhe do të bëhet multimiliarder jashtë çdo imagjinate”, tha Berisha, shkruan A2.
“Alabari, një person kontroversal, duhet ta pranojmë, por investitor, deklaroi se unë do investoj gjithsej 70 milionë, kaq është kapitali im. Të tjerat del se do i investonte Franc Çopja për Edi Ramën. Kush do investojë paratë për ndërtimin e 12.600 apartamenteve, e pesë-gjashtë hoteleve, për ndërtimin e marinës, për ndërtimin e pishinave? Këto do i investonte Edi Rama me Troplinët, me Çopjat, me Çelët e tij. Ata kanë miliardat, i kanë të groposura në kontejnerë dhe ata i nxjerrin”, shtoi Berisha.
Lidhur me portin tregtar që parashikohet të ndërtohet në Porto Romano, Berisha tha se ndryshe nga sa ishte thënë më parë se do të ndërtohej nga një privat, tani rezulton se shqiptarët do ta paguajnë nga xhepi i tyre: “Ju, qytetarët, nuk do paguani asnjë qindarkë. Dhe tani, pas 3-4 vitesh histori, del se porti në Porto Romano do ndërtohet nga taksapaguesit shqiptarë. Dhe do të jetë pra një gjobë. Ky vetë, me klanin e tij mafioz, pasurohet me disa miliardë euro, shqiptarëve u vjedh disa miliardë dhe i ndëshkon me mbi 1 miliard tjetër për të ndërtuar portin e ri, një port të pavlerë, një port një e katërta e Portit të Durrësit, nuk ka asnjë vlerë”.
Kreu demokrat paralajmëroi gjithashtu se në arenën ndërkombëtare po qarkullon një raport që, sipas tij, ka ndryshuar dhe vendos më shumë kushte për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian: “Ju e dini që ka mbi një muaj, përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare kanë bërë deri dje pesë takime dhe prapë Shqipëria mbetet në klasë për shkak të vjedhjeve të Edi Ramës me Lubi Ballukun dhe AKSHI-n e Lindave. Dhe çfarë është ai? Ai është një raport i ndërmjetëm, nuk është një raport përfundimtar. Dhe as të ndërmjetëm nuk e kanë pranuar dhe janë bërë një grup i madh vendesh të cilat kanë sjellë dje një breshëri të re kushtesh dhe kërkesash që do i vendosen Shqipërisë në rrugën e integrimit. Të gjitha këto për vjedhjet e Edi Ramës me Lubi Ballukun dhe Lindat e tij”.
Në fund, Berisha shprehu gatishmërinë e Partisë Demokratike për të qëndruar në mbrojtje të kësaj pasurie publike, duke theksuar se do të jenë në krah të qytetarëve të Durrësit për ta mbrojtur atë. (A2 Televizion)