Eksperti për çështjet e sigurisë, Redion Qirjazi, thotë se Shqipëria duhet të forcojë koordinimin mes institucioneve dhe të ndërtojë një strukturë për përballimin e kërcënimeve kibernetike. I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Danglli në A2 CNN, Qirjazi tha:
“Shqipëria ka përfshirë edhe NATO-n në përmirësimin e strukturës së saj të sigurisë, duke ngritur një qendër për sigurinë kibernetike pranë Forcave të Armatosura, si dhe duke përmirësuar sistemet e AKSHI-t dhe aparaturat e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike. Nuk ka sistem në botë që është perfekt në mbrojtjen e tij. Por nëse ti fle në dafina dhe nuk zbaton protokolle më të mira sigurie, nuk ndjek teknologjinë më të fundit apo ke elementë korrupsioni dhe mungesë qasjeje proaktive për mbrojtjen e rrjetit, atëherë ia bën më të thjeshtë kundërshtarit”.
Ai shtoi se vendi duhet të krijojë një strukturë të posaçme, të ndarë sipas niveleve të kërcënimit, që nga ato kibernetike deri te zhvillimet rajonale në Ballkan.
“Duhet ngritur një strukturë e ndarë sipas niveleve të kërcënimit që ka Shqipëria, ku ekspertë të ndryshëm të analizojnë në mënyrë të vazhdueshme këto rreziqe. Nuk mund të mbështetesh vetëm te një individ pranë kryeministrit, pasi askush nuk mund të dijë gjithçka. Specialistët duhet të jenë të përgatitur që në momentin kur ndodh një kërcënim t’i japin vendimmarrësve informacionin më të mirë dhe më të shpejtë për situatën”, përfundoi eksperti. (A2 Televizion)