
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, në draft raportin për Shqipërinë flet me tone kritike sa i takon situatës politike në vend dhe ndikimit negativ që mund të ketë në procesin e integrimit.
Por ky raport është kërkuar që të amendohet 305 herë ku në shumë raste gjuha e eurodeputetëve që kanë propozuar ndryshime është më e ashpër se e Schieder.
Vizita e Sali Berishës në samitin për 50-vjetorin e Partive Popullore Evropiane duket se ka dhënë frytet e saj, pasi në këtë raport grupi i partive simotra të Partisë Demokratike kanë depozituar 26 amendamente.
Grupi i PPE kërkon që gjuha në raportin për Shqipërinë të ashpërsohet ndjeshëm për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, duke vënë theksin se përdorimi i administratës apo presioni ndaj votuesve.
“Duke identifikuar mangësitë sistemike dhe të përsëritura dhe duke përsëritur shqetësimet lidhur me fushën e pabarabartë të lojës, keqpërdorimin e burimeve administrative, akuzat për blerjen e votave dhe presionin mbi votuesit; shpreh shqetësimin për raportet e presionit mbi punonjësit e administratës publike dhe votuesit e tjerë, si dhe rastet e kërcënimit; mungesa e një ndarjeje të qartë midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake minon konkurrencën e barabartë; prandaj, u bën thirrje shumicës dhe opozitës që të ndjekin në mënyrë konstruktive dhe gjithëpërfshirëse një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë përkatës, dhe të zbatojnë plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias shumë kohë përpara cikleve të ardhshme zgjedhore”, thuhet në amendamentin e Andrey Kovatchev, PPE.
Partia Demokratike një ndihmë merr edhe nga eurodeputeti bullgar, Ivaylo Valchev, i cili kërkon që në çështjen e hetimeve të pavarura nga drejtësia të përmendet me emër të përvetshëm, Belinda Balluku.
“Korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe se, pavarësisht progresit në kuadrin ligjor dhe institucional, Shqipëria duhet të konsolidojë më tej historikun e saj të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë; i bën thirrje Kuvendit të adresojë pa vonesë heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres Balluku”, thuhet në amendamentin e Ivaylo Valchev.
Por në këtë raport nuk ka vetëm as nën mëngë për opozitën, por aksioni i saj kritikohet. Marco Tarquino, kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, së bashku me një grup eurodeputetësh, thonë se protestat e dhunshme të PD nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.
“Shpreh shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin politik konfrontues, të cilat dëmtojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin e publikut dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratike; rikujton se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale”, thuhet në amendamenti i Marco Tarquinio.
Ndryshimet e kërkuara nga eurodeputetët në këtë raport kanë emëruesin e përbashkët luftën kundër korrupsionit dhe mbështetjen ndaj SPAK. Teksti i hartuar nga raportuesit për Shqipërinë në PE pritet të diskutohet dhe miratohet në Komitetin për Punët e Jashtme. (A2 Televizion)