"Drejtësia e ka mbushur kupën me PS" - Rada: Prokurorin e Ballukut e shantazhon Berisha, po mbron opozitën

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2025, 21:21 | Politikë

Gazetari Ardit Rada, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, komentoi përplasjen mes mazhorancës dhe SPAK-ut, si dhe deklaratën e kryeministrit pas kërkesës për arrestimin e Belinda Ballukut. Sipas Radës, reagimi i kryeministrit nuk është rastësor, por vjen nga një moment presioni maksimal ndaj mazhorancës.

“Unë kam përshtypjen që drejtësia e ka mbushur kupën me PS-në dhe Rama ndodhet në fazën kur ka nevojë të reflektojë para qytetarëve, elektoratit dhe vetë Partisë Socialiste”, u shpreh Rada. Ai theksoi se situata aktuale interpretohet politikisht për shkak të mënyrës se si SPAK ka vepruar në raport me palët.

Sipas tij, ekziston një perceptim i qartë për standarde të dyfishta: “Është i njëjti kryeprokuror, Altin Dumani, që godet Ballukun në prag protestash, ndërsa nga ana tjetër toleron elementë të opozitës. Kjo krijon bindjen se SPAK po mbron opozitën, ndërkohë që prokurori i çështjes Balluku shantazhohet çdo ditë nga Sali Berisha.”

Rada u ndal edhe te rrjedhja e dosjeve, duke theksuar se kjo nuk është një praktikë e re. “Dosje kanë qarkulluar gjithmonë, edhe për Berishën, edhe për Metën. Problemi është se reagimi vjen vetëm kur ‘të vjen goli në portën tënde’”, tha ai.

Sa i përket çështjes Balluku, Rada theksoi se hetimi ka mbi dy vite që ka nisur dhe provat kryesore janë sekuestruar prej kohësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos