Shkresa për autorizim në Kuvend, SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut

Nga Anesti Barjamemaj
16 Dhjetor 2025, 19:22 | Politikë

Shkresa për autorizim në Kuvend, SPAK kërkon arrestimin e Belinda

Katër ditë pasi Gjykata Kushtetuese i dha dritë jeshile kthimit në detyrë të zv.kryeministres së pezulluar nga Gjykata e Posaçme, Belinda Balluku, SPAK kërkoi autorizim për arrestimin e saj.

Struktura e Posaçme njoftoi zyrtarisht pasditen e së martës se i ka kërkuar Kuvendit të Republikës heqjen e imunitetit të zv.kryeministres, shkruan A2.

Ndryshe nga masat e para të caktuara ndaj Ballukut, “pezullimin nga detyra” dhe “ndalimin e daljes jashtë shtetit”, për kërkimin e masave “arrest në burg”, ose “arrest në shtëpi” SPAK duhet të marrë më parë miratimin e Kuvendit. Sipas SPAK, dhënia e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes, ministres së Infrastrukturës dhe zv.kryeministres, është kërkuar për llogari të hetimit ndaj saj për veprën penale të “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, të dyshuar si të kryer në procedurën prokururese të “Ndërtimit të tunelit të Llogarasë”.

Por, në një kohë që masat e para ndaj numrit 2 të qeverisë Rama ishin marrë për këtë hetim dhe dyshimet se e njëjta vepër ishte konsumuar në procedurën për “Ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti4”, SPAK njoftoi rëndimin e pozitës penale të Ballukut.

Sipas Strukturës së Posaçme, zv.kryeministrja ka marrë cilësinë e personit nën hetim, si e dyshuar për të njëjtën vepër penale edhe në 6 procedura tenderuese të tjera, në lote të ndryshme të Unazës së Jashtme Tiranë.

Ndërsa do të presë vendimarrjen e Kuvendit për dhënien ose jo të miratimit për arrestimin e saj, më 18 dhjetor, Apeli i Posaçëm shqyrton ankimin e saj kundër dy masave të para, ndësa më 22 janar, Kushtetuesja shqyrton ankimin e bërë nga kreu i qeverisë Edi Rama për pezullimin e zëvendëses së tij nga Shkalla e Parë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos