
Në Elbasan ka nisur takimi i tretë i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrative Territoriale, në kuadër të dëgjesave publike me qytetarët, përpara hartimit të propozimeve konkrete për reformën.
Bashkryetari i Komisionit, Luciano Boçi, e cilësoi këtë proces si thelbësor për vendimmarrjen politike, duke theksuar se politikat e qëndrueshme duhet të burojnë nga problematikat reale të qytetarëve.
Boçi ngriti shqetësime për pasojat e reformës territoriale të viteve 2014–2015, duke përmendur mungesën e investimeve në bujqësi, nivelin e ulët të shërbimeve publike dhe mungesën e përfaqësimit, veçanërisht në zonat rurale.
“Nëse reforma e vitit 2014 ka qenë e mirë, atëherë pse po kërkojmë sot rishikim? Nuk mund të përsëriten të njëjtat argumente si atëherë, pa u treguar konkretisht ku qëndron problemi sot.”
“Sot, nëse secila palë del me hartat e veta pa dakordësi, gjithçka bëhet e kotë. Këtu nuk bëhet fjalë për forcë politike, por për konsensus. Ne duam një reformë për të gjithë shqiptarët,” u shpreh ai. (A2 Televizion)