“Duam të fuqizojmë njësitë administrative”, Muçollari zbardh planet e PD për territorialen

Nga A2 CNN
9 Prill 2026, 20:46 | Politikë

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka paraqitur vizionin e opozitës për Reformën Territoriale, duke theksuar nevojën për afrimin e qytetarit me përfaqësuesit e zgjedhur.

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, ai u ndal te rëndësia e fuqizimit të njësive administrative si një element kyç i reformës. Sipas Muçollarit, një ndarje më e vogël territoriale rrit përgjegjshmërinë e të zgjedhurve dhe përmirëson shërbimet ndaj qytetarëve.

Çështja është si mund të afrojmë më afër qytetarin me të zgjedhurin. Është fuqizimi i njësisë administrative, që lidhet me faktin se, duke qenë me territor më të vogël, presioni për të zgjedhurin për të ofruar shërbime është më i lartë,” u shpreh ai.

Ai theksoi se ky është një model i njohur dhe i zbatuar gjerësisht në vendet e Bashkimit Europian, ku afërsia mes qytetarit dhe pushtetit vendor konsiderohet thelbësore për funksionimin e demokracisë lokale. Muçollari paralajmëroi se përdorimi i Reformës Territoriale për interesa politike do të ishte i dëmshëm për vendin.

Nëse do ta përdorim reformën territoriale për kalkulime politike, kjo është të mos i shërbejmë qytetarit dhe të mos i shërbejmë Shqipërisë,” deklaroi ai.

Në përfundim, ai nënvizoi se qëndrimi i opozitës mbetet i qartë:"Krijimi i një sistemi ku votuesi të jetë më i lidhur me vendimmarrjen dhe me ata që ushtrojnë pushtetin në nivel lokal". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos