“Duhet zgjidhje për Shqipërinë”, Berisha mbledh aleatët dhe shoqërinë civile, s’ka datë për protestë

Nga Anesti Barjamemaj
9 Janar 2026, 17:58 | Politikë

Nën moton “Zgjidhje për Shqipërinë”, Sali Berisha thirri këtë të premte një tryezë me të gjithë faktorët opozitarë, shoqërinë civile dhe intelektualë, por jo të gjithë u paraqitën.

Ftesa e Berishës kishte shkuar në adresë të të gjitha partive politike, por në tryezë u shfaqen vetëm aleatët e tij historikë, shkruan A2.

Pavarësisht refuzimeve, sërish Berisha shtriu dorën e bashkëpunimit me këdo për të krijuar atë që ai e quan forumin e zgjeruar opozitar: “Në frymën e përgjegjësisë më të lartë ne duhet të dalim me një forum opozitar të zgjeruar. Forca politike, shoqëri civile, personalitete dhe cilido që është i gatshëm të përballemi me këtë regjim për të shpëtuar Shqipërinë”.

Edhe nga ky takim, lideri opozitar shpalosi kërkesën për qeveri teknike, duke vendosur edhe objektivat që duhet të arrihen: “Së pari, përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ato nuk ekzistojnë më. Ne jemi forca politike opozitare, nuk vijmë në pushtet me dhunë. Së dyti, qeveria do ketë detyrë të mos pengojë drejtësinë. Drejtësia nuk është e pagabueshme, por drejtësia nuk pengohet”.

Ishte njoftuar disa herë se në këtë takim do të vendosej edhe data e protestës së radhës kombëtare, por Berisha hezitoi të tregonte se kur opozitarët do të dalin në shesh. Sërish kërkoi që reagimi të nisë nga qytetarët e në veçanti banorët e zonave të përmbytura.

“U bëj thirrje qytetarëve, kudo që të shihni ministra, i gjuani me vezë ose domate. Këta janë shkaktarë kryesorë të fatkeqësive tuaja”, tha Berisha.

Sipas organizatorëve ky takim do të shoqërohet me mbledhje të tjera. Pavarësisht se për 180 minuta u diskutua për aksionin e opozitës, sërish pati të pakënaqur. Një prej tyre ishte Selami Jenishehri, i cili edhe pse i paftuar kërkoi fjalën, që nuk iu dha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos