
Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, se fondi total i alokuar për përballimin e situatës është mbi 50 milionë euro.
“Në programin e Emergjencave Civile kemi parashikuar rreth 30 milionë euro të cilat janë të ndara në shpenzime kapitale për programin e Emergjencave Civile dhe ka të bëjë me financimin e objekteve apo projekte të cilat lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore. Vlera që kemi alokuar për këtë program është rreth 15 milionë euro”, tha Malaj.
“Nga ana tjetër kemi planifikuar edhe fondin e kushtëzuar që është rreth 10 milionë euro dhe është një transfertë e kushtëzuar që menaxhohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe do të shpërndahet për njësitë e vetëqeverisjes vendore sipas një metodologjie dhe e mbështetur në hartën e riskut që po kryen kjo ministri”.
Malaj shtoi se do të përdoret edhe fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, në vlerën 25 milionë euro. “Do të vendoset në dispozicion në varësi edhe të vlerësimeve që do të bëhet nga strukturat përkatëse. Kemi fondin për degat dhe rezervuarët, fond për shpenzimet kapitale dhe lidhet me financimin e projekteve për sigurimin e digave e rezervuarëve. Edhe ky fond është rreth 5 milionë euro. Vlera shkon mbi 50 milionë euro që janë të disponueshme për situatën e krijuar”. (A2 Televizion)