Ish-kandidatja për deputete e PD, Ilirjana Kuçana, thotë se tryeza e mbledhur të premten nga Sali Berisha, ndryshon nga “Fronti për shpëtimin e Shqipërisë”, nismë e ndërmarrë në vitin 2022 dhe që u duk sikur ngjalli shpresë për rikthimin e opozitës në pushtet.
“Nga kontaktet që kam pasur dhe nga ajo çfarë pashë gjatë rrugës, vura re se shumë figura që iu bashkuan Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë në vitin 2022 nuk ishin prezent në atë tryezë dhe kjo më vjen keq. Ndjej keqardhje, sepse janë njerëz me kontribute në shoqërinë civile. Janë njerëz që kanë bërë beteja dhe kauza publike. Nuk e di nëse nuk janë ftuar apo kanë refuzuar të jenë pjesë e kësaj tryeze. Atëherë besoj se Partia Demokratike do duhej të kishte gjetur personin e duhur për t’i bërë ftesat e shoqërisë civile. Nuk ka qenë personi i duhur ai që është marrë me organizimin. Pra, jo zoti Berisha, por ai që është marrë me organizimin. Aty ka çaluar puna, tek personi që ka dërguar ftesat”, tha Kuçana në Puls nga Bruna Çifligu në A2 CNN.
“Shoqëria civile funksionon ndryshe. Janë njerëz të lirë. Shoqëria civile ka një mënyrë dhe një mekanizëm ndryshe funksionimi. Është shumë e rëndësishme që, kur i fton në një tryezë të shoqërisë civile, ata duan të shohin të ngjashmit e tyre, njerëz me të cilët kanë bërë beteja bashkë, kanë qenë krah për krah. Patjetër që duan të shohin edhe moral, duan të shohin koherencë. Duke qenë se Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë, në një farë mënyre, u braktis nga Partia Demokratike, mendoj se edhe Fronti sot e ka braktisur atë tryezë. Kjo, besoj, është arsyeja pse një pjesë e madhe e tyre nuk kanë qenë pjesë e asaj tryeze”, shtoi ajo.
“Për mua më vjen keq kur nuk i shoh ata intelektualë që realisht përfaqësojnë figurën intelektuale, fytyrën intelektuale, mendimin intelektual. Do të doja shumë që ata të ishin aty dhe më dhemb kur nuk i shoh në tryezë disa prej njerëzve që janë mendimtarë, njerëz që janë, po e them hapur, filozofë në qasjen dhe mendimin e tyre. Problemi këtu është se njerëzit që përzgjedh zoti Berisha për të organizuar këtë tryezë, dhe jo vetëm kaq, por edhe rreshti i parë i Partisë Demokratike, duhet të rishikohet. Duhet ndryshuar imazhi i Partisë Demokratike, sepse për disa figura që janë sot në Parti, njerëzit nuk afrohen”.
Sipas saj, Berisha duhet të ndryshojë, përndryshe do të ketë probleme të mëdha. “Shpresoj fort që deri në muajin mars, kur kemi zgjedhje në Partinë Demokratike, zoti Berisha të reflektojë dhe të bëjë ndryshime. Nëse nuk i bën, edhe unë do ta mendoj angazhimin tim politik, sepse nuk mund të qëndroj me disa njerëz për të cilët e gjithë Shqipëria thotë me zë të lartë se nuk mund të jenë më aty. Opozita duhet të përfaqësohet nga figura që ngjallin shpresë, qytetari, që kanë bërë diçka në jetën e tyre. Ka figura që nuk kanë ditur të bëjnë punë tjetër përveç politikës dhe, nëse i nxjerr nga politika, mbeten pa bukë. Ky nuk është modeli i duhur”. (A2 Televizion)