E ngarkuara me punë e SHBA-ve në Tiranë Nancy Van Horn ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit. A2CNN mëson se ajo do të zhvillojë një takim me kreun e Kuvendit Niko Peleshi.
Ky i fundit përmes një postimi në rrjetet sociale rreth takimit, bën me dije: "Në Kuvend, me të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy VanHorn, mbi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, veçanërisht në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes. Si një aleate e besueshme e NATO-s, Shqipëria mbetet e angazhuar për të kontribuar në paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe global, duke forcuar më tej rolin e saj në arkitekturën euroatlantike të sigurisë".
Takimi i sotëm vjen një ditë pasi Rama mblodhi grupin parlamentar socialist, ku parashtroi projektligjin e ri që parashikon ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, sipas të cilit kryeministri si dhe 6 subjekte të tjera duhet të përjashtohen nga masa e pezullimit nga detyra.
Sakaq, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet më 23 shkurt, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. (A2 Televizion)