Ministri Hoxha përgjigjet për A2 CNN: Rama nuk ka asnjë aleancë me Serbinë, por vetëm interesa

Nga A2 CNN
10 Prill 2026, 12:40 | Politikë

Kryeministri Rama nuk ka asnjë aleancë, as me Serbinë dhe me askënd, por vetëm interesa. Këtë përgjigje i dha gazetares së A2 CNN Fjorela Beleshi, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, kur u pyet se a po përdor qeveria shqiptare çdo mekanizëm për integrimin duke mërzitur Kosovën, pasi Vuçiç dhe Rama bashkuan penën në Berlin.

“Kryeministri nuk ka asnjë aleancë, as me Serbinë, as me askënd. Ne kemi interesa dhe interesat mbrohen duke dialoguar dhe me ata që jemi diametralisht të kundërt, siç është qëndrimi ynë për Kosovën, krahasuar me atë që ka Serbia. Në diplomaci ne negiociojmë, ulemi. Kur diplomacia vdes kanë hyrë mjete të tjera. Dhe fakti që bashkëpunojmë në nivel rajonal ku të gjitha palët shohin atë që u intereson, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Natyrisht do të flasim me serbët. Nëse biem dakord aq më mirë, nëse jo do të takohemi sërish për të tentuar. Ka vetëm interesa që na detyrojnë të jemi sa më të qartë e bashkëpunues për të mbrojtur interesat tona”.

Në vijim të përgjigjes së tij kryediplomati theksoi se marrëdhëniet me Serbinë ngjallin emocione, por kjo sipas tij mund të çojë në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Sipas tij njohja reciproke e dy vendeve do të heqë pengesën e fundit në mënyrë që rajoni si një i tërë të avancojë në BE.

“Marrëdhëniet me Serbinë ngjallin emocione të caktuar, në vend e Kosovë dhe nuk ka asnjë çudi,  por asnjëherë nuk shoh të reflektuar gjëkundi që fakti që Shqipëria mundohet te ndërtojë marrëdhëniet e veta me Serbinë kjo mund të çojë ujë në normalizimin e marrëdhënieve Serbi- Kosovë në arritjen për ta njohur njëri tjetrin për ta hequr këtë element që është ende pengesë në mënyrë që i tërë rajoni të avancojë drejt familjes europiane. E duan të gjithë këtë. Por do jetë e vështirë nëse nuk zgjidhet kjo çështje e fundit që është dakordësia finale që Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe i denjë për familjen europiane”.

Ai tha se janë “rreth 70 nisma të ndryshme ku janë vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe kur fola për bashkëpunim rajonal thashë qasjen tonë. Ne jemi vend që investojmë në bashkëpunim në marr e mira e fqinjësinë e mirë duke bërë maksimumin dhe duke mbrojtur interesat tona”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos