Debati për rënien e lindjeve dhe plakjen e popullsisë u rikthye në fokus në emisionin “Off the Record” në A2CNN, ku u përballën Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, dhe Adi Qose, deputet i PS-së.
Gjatë diskutimit, Qose solli në vëmendje shifrat e Italisë për të argumentuar se fenomeni i rënies së lindjeve është i përhapur në gjithë Evropën.
“Do doja të jepja një shifër të lindjeve në Itali. Në vitin 2014 kanë qenë 502 mijë e 600 dhe në 2025-ën janë 355 mijë. Ka rënë me 30 për qind lindjet në Itali dhe nuk besoj se ka ndodhur prej reformës territoriale?”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Alimehmeti theksoi se Italia përbën një rast ekstrem për shkak të plakjes së popullsisë dhe ngriti shqetësimin nëse Shqipëria po shkon në të njëjtin drejtim.
“Patjetër, është shteti më i plakur i Europës. A do t’i ngjajmë shtetit më të plakur të Europës ndërkohë që kemi qenë shteti i parafundit më i ri, Kosova ka qenë shteti më i ri. Nëse do marrim atë shembull si shteti më plak, dakord. I jemi afruar shtetit më plak në 10 vjet”, deklaroi Alimehmeti.
Qose kundërshtoi duke theksuar se kjo tendencë nuk është e izoluar vetëm në Itali. “Këto lëvizje kanë ndodhur në të gjitha shtetet e BE”, tha ai. Alimehmeti nuk ra dakord me këtë qëndrim, duke këmbëngulur se Italia mbetet rasti më i theksuar në Bashkimin Evropian. “Në të gjitha jo, Italia është shteti më i vjetër i BE”, u përgjigj ai. (A2 Televizion)