“Ekzekutivi po tenton të hajë pushtetet e tjera”, Dervishi: Përplasje e shëndetshme mes institucioneve

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2025, 20:55 | Politikë

Gazetari Lutfi Dervishi, i ftuar në emisionin Off the Record nga Andrea Danglli në A2 CNN, ka komentuar tensionet e fundit midis ekzekutivit dhe institucioneve të drejtësisë, duke i cilësuar ato si një shenjë pozitive të autonomisë institucionale. Sipas tij, reagimet ndaj vendimeve të gjykatave tregojnë se ekzekutivi po tenton të zgjerojë pushtetin përtej kufijve kushtetues.

Dervishi theksoi se gjykatat dhe prokuroria nuk kanë shfaqur asnjëherë ambicie për të ndërhyrë në qeverisjen e vendit, përkundrazi, ato janë ngritur pikërisht për të mbajtur nën kontroll njerëzit në pushtet. Duke iu referuar Gjykatës së Posaçme, ai u shpreh se vendimet e saj pranohen pa koment kur prekin opozitën apo zyrtarë të shkarkuar, por kundërshtohen sapo preken zyrtarët aktualë të qeverisë.

Sipas tij, koncepti i imunitetit nuk mund të përdoret si mburojë për veprime administrative, pasi pushtetmbajtësit mbajnë përgjegjësi direkte për vendimet e tyre. “Nuk mund të kërkosh të mos japësh dorëheqje përballë një akuze konkrete dhe të qëndrosh ende ministër. Kjo nuk është standard qeverisjeje,” tha ai në Off the Record.

Dervishi argumentoi se përplasja aktuale midis ekzekutivit dhe institucioneve të drejtësisë është “fund i një hipokrizie të gjatë” dhe shenjë e shëndetshme e funksionimit demokratik. Ai vlerësoi edhe vendimin e fundit të Gjykatës, duke theksuar se është i arsyetuar dhe pritet të shërbejë si normë për raste të tjera, ashtu si precedenti i vendimit për Sali Berishën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos