Si po armatoset Shqipëria "deri në dhëmb"? Ministri Hasani zbulon detajet, ja sa po shpenzojmë për mbrojtjen

Nga A2 CNN
13 Prill 2025, 22:13 | Politikë

Ministri i Jashtëm Igli Hasani tha në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN se jetojmë në kohë interesante, kur u pyet mbi “krisjen” e raporteve të Aleancës Euroatlantike, ku Shqipëria bën pjesë, pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Hasani ndër të tjera vlerësoi punën e Shqipërisë për të arritur që 2% të prodhimit të brendshëm bruto ta investojë për të modernizuar Forcat e Armatosura dhe për të plotësuar kriterin e NATO-s mbi shpenzimet.

“Marrëdhënia euroatlantike është shumë e fortë. Europa e sotme është produkt i kontributit amerikan pas Luftës së Dytë Botërore dhe që do të vazhdojë të jetë evident dhe po kaq i fortë, megjith2ëse ka kërkesa që ne në Europën e vjetër po përpiqemi ti përtypim dhe përshtatemi. Një nga bisedat e rëndësishme në këtë konfigurim është pjesa e kontributit në buxhetin e mbrojtjes në raport me prodhimin e brendshëm bruto. Administrata e parë Trump i detyroi vendet anëtare të NATO-s që të paktën të plotësonin 2% dhe të vazhdojë ky trend. Unë ndihem mirë kur shoh që ne kemi qenë në gjendje që 2.03% të PPB t’ia dedikojmë mbrojtjes, që të plotësojmë jo vetëm detyrimet në raport me Aleancën por edhe të modernizojmë Forcat e Armatosura”, tha Hasani në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.

Riarmatosjen e BE dhe Ballkanit, e në veçanti Shqipërisë që do të rikthejë në punë uzinat e saj të prodhimit të armëve, Hasani e sheh si “çështje progresi, evolucioni, miradministrimi” dhe me vlerë për “pastrimin e atij stoku të vjetër që jo vetëm i ka kaluar të gjitha afatet e përdorimit, por edhe nuk i përshtatet më teknologjisë dhe zhvillimit”.

Janë procese që kanë qenë gjithmonë. Në NATO para viteve 90 kur ekzistonte akoma Muri i Berlinit dhe Traktati i Varshavës, kriteri i raportit të shpenzimeve të mbrojtjes ka qenë gjithmonë mbi 3 përqind. Nuk kemi një situatë ku të gjithë mendojmë njësoj, kemi një betejë të demokracive dhe demokraturave, ku këndvështrimet janë diametralisht të kundërta”, deklaroi kryediplomati shqiptar në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos