Këtë të hënë, më 14 prill, në Luksemburg do të zhvillohet konferenca e katërt ndërqeveritare mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, një moment kyç në procesin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.
Gjatë kësaj konference pritet të hapet zyrtarisht grupkapitulli për “Tregun e Brendshëm”, duke çuar në tre numrin e grupeve të kapitujve me të cilët Shqipëria ka nisur zyrtarisht bisedimet me Brukselin.
Ky grupkapitull përfshin nëntë kapituj tematikë, që prekin fusha themelore për integrimin ekonomik dhe ndërtimin e tregut të lirë, si: lëvizja e lirë e mallrave, punëtorëve dhe kapitalit, shërbimet financiare, mbrojtja e konsumatorëve, konkurrenca dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.
Kryeministri Edi Rama e ka përshëndetur këtë zhvillim përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar si “lajm të bukur” për vendin, teksa ndau edhe momente nga takimi me diasporën shqiptare në Milano një ditë më parë.
“Me lajmin e bukur të hapjes sot të një tjetër grupi kapitujsh të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, ju uroj një ditë të mbarë,” shkroi Rama.
Konferenca e sotme vjen si vazhdim i përparimit të reformave që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të integrimit evropian, dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë në familjen evropiane. (A2 Televizion)