
Shqipëria nuk rrezikohet nga mungesa e furnizimit me hidrokarbure. Kështu u shpreh ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi gjatë interpelancës në Kuvend, të kërkuar nga deputeti demokrat Enno Bozdo. Sipas tij qeveria po punon për një kuadër të ri ligjor që synon kalimin e menaxhimit të rezervës së sigurisë nga operatorët tregtarë tek institucionet shtetërore.
“Për qeverinë shqiptare, siguria energjetike është shumë e rëndësishme, sepse është pjesë e sigurisë kombëtare. Masat e marra janë shumëplanëshe dhe është ngritur Bordi i Transparencës që mbron konsumatorin final”, u shpreh Karakaçi, përcjell A2 CNN.
Ai tha se është ngritur një grup pune për verifikime në terren mbi rezervat e sigurisë në shoqëritë e tregtimit të hidrokarbureve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Është ngritur grupi i punës që ka për detyrë të kryejë verifikimin në terren për të gjitha kompanitë. Rezerva e hidrokarbureve nuk bëhet më nga shoqëritë tregtare, por nga agjencitë shtetërore. Rezervat janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Sa i përket planit afatgjatë, tashmë është publikuar plani për rezervën hidrokarbure. Është një draft i konsultuar dhe i dakordësuar me BE që vendos një standard të ri për Shqipërinë sepse rezerva menaxhohet nga agjencitë shtetërore. Rezervat përdoren kur ka mungesa në treg. Qeveria siguron se nuk ka pasur pengesa në furnizim dhe vendi ynë nuk është i ekspozuar ndaj rrezikut. Sa i përket akuzës për mungesë transparence, është politike dhe s’i përgjigjet realitetit sepse jemi ulur me të gjitha grupet e interesit dhe kemi diskutuar për situatën”, tha ministri, raporton A2 CNN.
Karakaçi njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme do të hyjë në fuqi plani i masave për transportin publik urban dhe interurban, pas konsultimeve me grupet e interesit.
Teksa kërkoi ulje të çmimit të naftës, Bozdo i tha Karakaçit se nuk u përgjigj nëse ka apo jo rezervë sigurie. Sa për mungesën e rrezikut, tha se si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria mund të bëhet pjesë e konfliktit.
“Keni 90 ditë porosi për konsum. Çështja është a kemi apo jo rezervë sigurie. Keni çuar inspektoratin tuaj dhe i keni dhënë letrat dhe u keni thënë firmosni që keni kaq dhe mbyllet kjo histori. Tani që u hodh çështja që na duhet një rezervë sigurie, keni kontaktuar gjithë grosistët e naftës dhe keni thënë që flisni me Ron Yeffet që s’i mjaftojnë 300 mln euro e KAYO-s. Ne jemi barsaletë, jo vend serioz, një vend që mund të përfshihet në konflikt se mund të përfshihet NATO. Ata që ju kanë gënjyer duhet të përballen me ligjin dhe ata që s’janë bindur, duhet të përgjigjen para ligjit se kemi të bëjmë me një çështje që prek sigurinë tonë kombëtare”, tha Bozdo. (A2 Televizion)