Kryeministra, presidentë dhe zyrtarët më të lartë të 47 shteteve të Kontinentit Evropian do të mblidhen të premten në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik Europian.
Një ngjarje e rëndësishme kjo do të bashkojë udhëheqësit nga Londra në Kiev, nga Oslo në Ankara, për të diskutuar çështje kyçe për të ardhmen e Evropës.
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë gjatë ditës takime dypalëshe me personalitetet pjesëmarrëse, në mjediset e dedikuara, duke nisur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte e më pas me Kryeministrin e Spanjës Pedro Sanchez, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Princin Sovran të Monakos Albertin II, Kancelarin e Austrisë Christian Stocker, Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni, Presidentin e Qipros Nikos Christodoulides, Kryeministrin e Hollandës Dick Schoof, Kryeministrin e Belgjikës Bart de Wever, si dhe do të mirëpresë me takime duarsh të gjithë liderët e ftuar në Samit me të cilët do të ketë edhe një foto familjare.
Pjesë e ngjarjeve të ditës do të jenë edhe ceremonia e mirëseardhjes në Samit, si dhe performanca të ndryshme artistike, promovuese të traditës dhe kulturës kombëtare shqiptare.
Samiti do të vijojë përgjatë ditës me seancat plenare dhe tryezat e diskutimeve.
Për mbarëvajtjen e këtij eventi, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash me bllokimin e rrugëve dhe devijimin e kalimin në disa prej tyre.
Bllokimi nisi që nga e enjtja nga ora 08:00 – 24:00, ku nuk u lejua lëvizja e automjeteve në intervalin kohor të lëvizjes së delegacioneve në aksin rrugor “Aeroporti “Nënë Tereza” Rinas – Hyrja tek autostrada e re “Thumanë-Kashar” – Autostrada “Durrës-Tiranë” – Mbikalimi i Kasharit – Kryqëzimi tek ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Re krahu i Astirit – Kryqëzimi te “Pallati me shigjeta” – Rrethrrotullimi i Saukut të vjetër – Rruga e Elbasanit e deri tek Sheshi “Skënderbej” vend ku do të zhvillohet aktiviteti.
Po ky aks rrugor do të jetë i bllokuar edhe gjatë të premtes, nga ora 6 e 30 deri në mesditë. Në momentin e kalimit të delegacionit këto rrugë do të jenë të bllokuara në të dyja krahët.
Për automjetet kalimi për në Rinas do të bëhet nga rrugët dytësore të autostradës “Tiranë-Qafë Kashar – Rinas”, si dhe nga Unaza Veriore, degëzimi i “Paskuqan – Institut – Kamëz – Domje – Laknas.
Hyrja dhe dalja në spitalin “Shefqet Ndroqi”, tek rrethi i Sanatoriumit, do të kenë herë pas here devijime sipas orareve të delegacioneve.
Në rrugët e bllokuara nuk do të lejohen as parkimet e mjeteve, si dhe parkimi nëntokësor te sheshi “Skënderbej”.
Po ditën e sotme, ende pa u certifikuar rezultati i 11 Majit, Sali Berisha ka thirrur një protestë në Bulevardin “Zogu I” nën thirrjen për të mbrojtur atë që ai e quan votën e vjedhur nga socialistët.
Policia e Shtetit e ka refuzuar kërkesën e tyre për protestë, por demokratët duket se janë të vendosur në qëndrimin e tyre. (A2 Televizion)