Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, e ka nisur fjalimin e tij në Kuvend, duke ndarë përmes celularit fjalën e nënës së Martin Canit nga protesta, 14-vjeçarit të vrarë me thikë nga bashkëmoshatari i tij në shkollën Fan Noli në kryeqytet.
Dogjani hodhi akuza të forta ndaj Qeverisë, teksa tha se siguria në shkolla mungon dhe fëmijët dhunohen e bullizohen në ambientet e institucioneve arsimore.
Ai tha gjithashtu se prindërit e fëmijëve jetojnë me ankthin nëse fëmija do iu kthehet në shtëpi ose jo, pasi sipas deputetit, të miturve u zënë pritë me thika në dyert e shkollave.
“Ajo qan te krevati i djalit, sepse ja vranë në shkollë. Në shkollë duhet të merrej edukim, dije, kulturë, por ja ku e keni përfunduar arsimin në Shqipëri. Dhe vini na tregoni përralla për laboratorë smart. Po ç’u duhen laboratorët fëmijëve, kur nuk kanë tualete nëpër shkolla.
Ç’u duhen laboratorët fëmijëve, kur dhunohen e bullizohen dhe përdoret masivisht droga në ambientet e shkollës. Ç’u duhen laboratorët prindërve, kur jetojnë me ankth se mos nuk u kthehen fëmijët nga shkolla, pasi del tjetri e i pret me thikë te dera e shkollës. Mësuesit tanë janë nën agresionin dhe trysninë për vendin e punës nga Rilindja”, tha deputeti Dogjani.
(A2 Televizion)