Duke akuzuar se po betonizohen zonat e mbrojtura, deputetja e PD, Ina Zhupa debatoi në interpelancë me ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro. Sipas Zhupës, janë betonizuar 5,8 milionë m2 tokë për investime strategjike që prekën 9 zona të mbrojtura dhe ky është një akt terrorizmi mjedisor.
“Kumbaro është ministrja më jetëgjatë sepse është edhe më duargjata. I hapi rrugë shkatërrimit të Teatrit Kombëtar. Ishte ajo që hapi qofterinë e parë në Butrint dhe bëri marrëveshjen me ADF për Butrintin, duke e betonizuar.”, tha Zhupa. “Keni dhënë 5,8 milionë metra katrorë tokë në gjithë vendin investitorëve strategjike. Jeni terroristë mjedisorë”, tha Zhupa.
“Për herë të parë, Shqipëria zgjeroi sipërfaqet e zonave të mbrojtura në vitin 2022 duke e çuar sipërfaqen e mbrojtjes në 21,5% të territorit! Po, sot 21,5% e territorit në Shqipëri është zonë e mbrojtur me vullnetin e kësaj mazhorance, me punën dhe përkushtimin e kësaj mazhorance”, ishte përgjigja e Kumbaros.
Ajo shtoi se edhe në 2025, investimet në zonat e mbrojtura do të vazhdojnë. “Investimet në zonat e mbrojtura do jenë në qendër të kësaj qeverie edhe në vitin 2025, më lejoni t’iu them këtu parkun e hidrocentralit të Ulzës, ndërtim i qendrës multidimensionale dhe shkencore në Vjosë”, tha Kumbaro. (A2 Televizion)