Nga katedralja e Shën Palit në Tiranë, politikanët përcollën urimet për të gjithë besimtarët me rastin e festës së Krishtlindjes.
I pari që vizitoi katedralen ishte Presidenti Bajram Begaj, i cili në mesazhin e tij të shpërndarë në mediat sociale bën thirrje për bashkim dhe për rindërtimin e urave të komunikimit mes njerëzve.
Në një botë plot sfida, Krishtlindja është një thirrje për të rindërtuar urat e mirëkuptimit dhe për të përforcuar frymën e bashkimit midis nesh. Krishtlindja na kujton se asnjë vështirësi nuk mund ta shuajë dritën që lind brenda nesh kur veprojmë me dashuri dhe besim.
Bajram Begaj, President i Shqipërisë
Mesazh urimi përcolli edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila theksin e vendosi tek toleranca fetare. “Nga kjo tolerancë duhet të mësojmë të gjithë, por sidomos ne politikanët. Të udhëhiqemi nga dashuria, respekti e mirëkuptimi, të braktisim gjuhën e urrejtjes, të përçarjes dhe konfliktit. Dashuria është vlera më e lartë njerëzore dhe ajo duhet të përshkojë jetët tona”, tha ajo.
Edhe lideri i opozitës Sali Berisha, pas vizitën në katedralen e Shën Palit uroi që kjo ditë të shndërrohet në frymëzim për të gjithë besimtarët. “Uroj të gjithë besimtarët katolikë, por edhe të gjithë besimtarët e Zotit se kjo është një ditë e shenjtë për çdo besimtar. Dita në të cilën lindi hyji, burri që me jetën dhe mendimet e tij bëri më shumë se kushdo tjetër për moralin e qytetërimit perëndimor”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama zgjodhi që urimin e tij ta bënte nëpër mjet mediave sociale, ku bashkë me mesazhin për besimtarët shpërndau foton e një ikone të shekullit të 17-të sapo restauruar. (A2 Televizion)