Pas gjetjes së gjuhës së përbashkët lidhur me rezolutën për integrimin e Shqipërisë në BE, socialistët dhe demokratët u dakordësuan edhe për Rregulloren e re të Kuvendit. Ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN mendon që kemi të bëjmë me një pazar mes PS-së dhe PD-së. Alibeaj thekson se opozita është shitur për pak përfitime të vogla, ndërkohë që i fituari i madh sipas tij është kryeministri Rama.
“Habia qëndron si mund të bashkosh votat me një njeri të tillë, të bëhesh pjesë e regjimit, të japësh kontributin tënd për ta zbukuruar portretin e nxirë të regjimit dhe Edi Ramës. Nuk bie dakord për reformën zgjedhore. Piketat janë hedhur. Mund të bëjnë një ndryshim në ligj duke e bërë të pamundur çfarëdo mundësie që subjekte të reja mund të kenë përfaqësim dhe të jenë pjesë e Parlamentit. S’jam dakord me Territorialen. Janë të tërhequr për të bashkuar votat dhe vullnetet, jo në interes publik. Interesi publik e ndan çfarë janë marrëveshje dhe pazare. Janë pazare. Për këtë të sotmen, pata mundësinë t’u hidhja një sy ndryshimeve në Rregullore. Është superfuqizuar Komisioni i Nismës qytetare, ai që drejton Xhafaj. E kanë hequr mundësinë që drejtuesi i SPAK-ut të raportojë në seancën plenare. PS ruajti përsëri ndarjen në 11 komisione, si në shtator. Cili është përfitimi i opozitës? Iu dha e drejta që të rrisin numrin e këshilltarëve nga 8 në 11, që të kryesojnë disa grupe miqësie në Parlament! Dhe kur penalizohen nga Niko me shokë t’u mbahet më pak pagë. U habita se si ka mundësi të shesësh veten kaq pak?! Fitorja e madhe ishte e Ramës”, tha Alibeaj. (A2 Televizion)