
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka folur për A2 CNN, para nisjes së Foltores së opozitës përballë Kryeministrisë.
Baçi tha se kjo Foltore bëhet pas bllokimit të krijuar në Parlament për deputetët e opozitës, si dhe që qytetarët të adresojnë hallet dhe problematikat e tyre, shkruan A2 CNN.
Ai tha gjithashtu se kjo Foltore do të shërbejë si një pikë referimi për qytetarët, në mënyrë që në të ardhmen të kthehet në një ‘ortek’ të madh.
Baçi i bëri thirrje Qeverisë që të dalë për inspektim në zonat e përmbytura nga lumi Seman dhe Vjosa dhe të dëmshpërblejë fermerët e prekur, pasi sipas tij, dëmet janë kolosale.
“Është një foltore e organizuar nga PD. Kjo emërtesa e protestës nuk ka vend, sepse protestat organizohen në format tjetër. Është vendosur që kjo foltore të jetë e përjavshme, por më pas do të shikohet edhe në varësi të situatës.
Pra një foltore për të plotësuar atë bllokim dhe boshllëk që krijohet në Parlament për deputetët. Po këtu është një foltore për qytetarët në radhë të parë, për të ardhur dhe shpalosur gjithë problematikat, hallet dhe shqetësimet, si dhe për të qenë si një pikë referimi, nga ku në vazhdimësi të bëhet si një ortek sa më i madh. I ftojmë qytetarët që të jenë pjesë e kësaj foltoreje.
Ka pasur problematika të shumta nga përmbytjet. Vjosa dhe Semani i kursyen banesat e banorëve, por ka lënë dëme kolosale pas. Sepse janë mbi 120 hektarë tona të mbuluara nga uji. Janë mbuluar të gjitha të mbjellat. Qeveria duhet të zbresë në terren, të evidentojë dëmet te fermerët dhe t’i dëmshpërblejë ata”, tha mes të tjerash Baçi. (A2 Televizion)
