Qeveria iu drejtua Kushtetueses për pezullimin e Ballukut, reagon Bardhi

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2025, 16:17 | Politikë

Qeveria iu drejtua Kushtetueses për pezullimin e Ballukut, reagon Bardhi

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas kërkesës së qeverisë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku. Kjo kërkesë vjen pas vendimit të GJKKO-së për vendosjen e masës ndaluese ndaj saj, vendim që qeveria e konsideron në konflikt kompetencash.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se për herë të parë në historinë e Shqipërisë, Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave kanë ndërhyrë institucionalisht për të kërkuar shfuqizimin dhe pezullimin e një vendimi gjyqësor që cakton masa të sigurimit personal individualisht për një person.

“Askund, në asnjë vend demokratik, nuk ka ndodhur që Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave të investohen institucionalisht në një rast individual për të goditur një masë sigurimi personal, qoftë kjo me karakter shtrëngues apo ndalues”, shkruan ndër të tjera Bardhi.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit

SHTETI LIGJOR BIE KUR NJË I PANDEHUR PËRDOR KRYEMINISTRIN DHE KËSHILLIN E MINISTRAVE SI “ZYRË AVOKATIE”

Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave kanë ndërhyrë institucionalisht për të kërkuar shfuqizimin dhe pezullimin e një vendimi gjyqësor që cakton masa të sigurimit personal individualisht për një person. Askund, në asnjë vend demokratik, nuk ka ndodhur që Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave të investohen institucionalisht në një rast individual për të goditur një masë sigurimi personal, qoftë kjo me karakter shtrëngues apo ndalues.

Pa asnjë dyshim që vetë e pandehura ka gjithë të drejtën që të ndjekë rrugët ligjore për mbrojtjen e saj, përfshirë ankimin e vendimit gjyqësor për caktimin e masës ndaluese, duke nisur me Gjykatën e Apelit – Gjykatën e Lartë – Gjykatën Kushtetuese. Por nuk ndodh askund që një i pandehur të përdor si Avokat, Kryeministrin/Këshillin e Ministrave, për të kërkuar shfuqizimin e një vendimi gjyqësor individual për të, apo të kërkojë përmes tyre pezullimin e efekteve të vendimit gjyqësor.

Ky është një akt i pastër dhe i paprecedent i mbrojtjes institucionale politike nga drejtësia. Ky është një mesazh i qartë politik i çimentimit të kulturës së pandëshkueshmërisë. Ky është një akt që provon se Edi Rama në emër të parimit “të ndarjes së pushteteve”, kërkon të shpallë Këshillin e Ministrave të pavarur nga detyrimi për të zbatuar me korrektësi ligjin. Ai kërkon t’i bëjë presion drejtësisë, me shpresën se do të nxjerrë jashtë binarëve kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese, që ekziston si garanci për kushtetutshmërinë dhe kurrsesi për pandëshkueshmërinë.

Është e qartë që kjo lëvizje ka vetëm efekte politike, më saktë është mjet presioni/mesazhi politik, dhe nuk synon zgjidhje juridike.

Prandaj, kërkesa e Edi Ramës, që synon vetëm të japë mesazhin mafioz për organet e drejtësisë se e pandehura Belinda Balluku nuk është si të gjithë të pandehurit e tjerë, por gëzon mbrojtje të posaçme politike/institucionale nga Kryeministri/Këshilli i Ministrave, meriton vetëm përbuzje, si një akt antidemokratik, antikushtetues, veçanërisht nga vetë organet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, që është përpara sprovës për të mbrojtur të drejtën për hetim të plotë, të pacenueshëm, të gjithanshëm, të papenguar, të organeve hetimore. Ky është një moment i rëndësishëm në jetën institucionale të vendit për të provuar se pushteti gjyqësor nuk varet nga statusi i posaçëm që pushteti ekzekutiv i jep të pandehurve të veçantë, dhe se kushdo është i barabartë përpara ligjit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos