
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i ftuar në studion e “Ditarit të pasdites” nga Pandi Gjata, në A2 CNN, deklaroi se opozita do ta vazhdojë gjatë atë që e quajti “platformë rezistence” para Kryeministrisë.
“Kjo është një platformë rezistence që do të vazhdojë gjatë, e cila kërkon të kompensojë zërin e opozitës në Parlament, pasi hapësira e saj është ngushtuar. Është dhe në vazhdën e atij komunikimi që një forcë politike duhet ta ketë me qytetarin. Zgjidhja politike është largimi i Ramës, një kryeministër që zv/kryeministri i është kapur në korrupsion, ministrat në korrupsion, kryebashkiakët në korrupsion, dhe nuk mund të thotë tani atë që ka thënë gjithmonë, që nuk di gjë. Edhe kur thotë kështu ka përgjegjësi ligjore, pasi dëshmon që është i paaftë për të zgjedhur personat me të cilët bashkëpunon. Kupa është mbushur. Çdo qytetar, siç është i pari i shtëpisë dhe i di të gjitha, ashtu edhe Rama i di të gjitha sa i përket qeverisë që drejton”, tha Baçi.
Sipas tij, “Rama dikur tha që nuk komentonte vendimet e gjykatave, ndërsa tani thotë që është ndërhyrje brutale” në rastin e Belinda Ballukut.
“Pse nuk pati revoltë kur SPAK-u kapërceu çdo standard kushtetues në ndalimin e zotit Berisha? Në rastin e zotit Berisha kemi një precedent negativ, por ka vënë mend siç duket dhe po ecën me hapa më të ngadaltë. Rama për të vetët ka ofruar mbrojtje politike, si në rastin e Xhaçkës që edhe sot e ka deputete. Është shtuar presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese, por për mendimin tim ligji është i qartë dhe ajo nuk ka hapësirë që të dalë me një vendim tjetër”, shtoi më tej Boçi. (A2 Televizion)
