Me reformë apo jo, vota preferenciale do të implementimet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por mënyra se si do të përllogaritet, është ende një dilemë që kërkon zgjidhje nga politika.
Maxhoranca doli me një propozim duke ulur herësin brenda listës nga 10 mijë vota, që ishte në parlamentaret e vitit 2021, në 7 mijë vota, duke shpjeguar se kishte reflektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila herësin e zgjedhjeve të shkuara e kishte cilësuar si jo proporcional.
Herësi në vetvete do të thotë një pengesë, përllogaritur në numër votash preferenciale, që dikush duhet të kalojë për të kapërcyer vijën ndarëse mes listës së kandidatëve fitues dhe atyre humbës, duke prishur kështu renditjen e bërë nga kryetari i partisë. Ajo që me fjalë quhet si listë e hapur, në fakt fsheh një formulë të komplikuar, ndonëse pengesa e re rezulton disi më e zbutur.
“Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyes më të madh se herësi i ndarjes së mandateve. Herësi i ndarjes së mandateve është numri që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit zgjedhor me numrin e mandateve të fituara nga subjekti përkatës dhe pjesëtuar me 1.5. Në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7 000 vota”, thuhet në propozimin e PS-së.
Këtë formulë, A2 CNN e aplikoi duke analizuar votat e zgjedhjeve të shkuara parlamentare dhe duke nxjerrë herësin për çdo qark. Zona zgjedhore me herësin më të vogël të votave ishte Vlora ku kandidatit i duhen 4900 vota preferenciale, ndjekur nga Gjirokastra me 5400 dhe Berati me 5600. Zonat zgjedhore me herësin më të lartë rezultojnë të jenë Tirana, Kukësi dhe Elbasani, ku hyn në fuqi tavani i përcaktuar prej 7 mijë votash.
Referuar rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, diferenca ndërmjet herësit 10 mijë votash dhe atij 7 mijë, nuk duket të ketë ka ndonjë dallim të madh në përbërjen e Parlamentit.
Krahas Fatmir Xhafajt, Luçiano Boçit dhe Ornaldo Rakipit, të cilët arritën të kishin sukses duke tejkaluar pragun 10 mijë votësh, kësaj liste, hipotetikisht do t’i ishte bashkëngjiur edhe Pandeli Majko në Tiranë, i cili do të kishte fituar menjëherë mandatin parlamentar, pa pritur dorëheqjen e Alqi Ballkos. Kapërcimi i Majkos do t’i ulte poshtë vijës së kuqe kolegun e tij Arben Pëllumbi, si kandidati i dytë me më pak vota preferenciale, pas Ervin Bushatit që i la vendin Fatmir Xhafës.
Në Shkodër do të fitonte mandatin Bardh Spahia, i cili falë rreth 7200 votave preferenciale, do ta thyente lehtësisht herësin prej 6300 votash që rezulton në këtë qark dhe do të spostonte kolegun Ramadan Likaj.
Këtyre dy emrave do t’i bashkëngjitej edhe Igli Cara në Durrës i cili gjithashtu do të mund të thyente herësin prej 6400 votash, në kurriz të mandatit të Oerd Bylykbashit, për shkak të respektimit të kuotës gjinore, ku një burrë zëvendësohet me një të tillë.
Ndërsa mandatin e Nustret Avdullës në Fier nga lista e PD, do e merrte Agron Kapllanaj.
Bazuar mbi këto përllogaritje, vetëm katër deputetë të tjerë do të arrinin të kalonin nga lista humbëse në atë fituese. Ndaj lind pyetja sa e respekton formula e re e PS-së vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që ndonëse nuk e rrëzoi pengesën e herësit si parim, kërkonte që ajo të ishte më proporcionale. (A2 Televizion)