Arsejda Gjyli, pedagoge dhe studiuese e psikologjisë sociale, e ftuar në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ka analizuar gjuhën e trupit të kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili ka raportuar sot në Kuvend mbi veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit 2024 dhe është përgjigjur pyetjeve të deputetëve.
Sipas saj, qëndrimi i Dumani ishte korrekt dhe i përpiktë, duke reflektuar përpjekjen e tij për të mbajtur një pozicion lojal në kushtet e presionit të lartë që vjen nga drejtimi i një Prokurorie të Posaçme në një vend tranzitiv si Shqipëria. “Ai u përpoq të bënte më të mirën e mundshme në një realitet konfliktual dhe nën presion të jashtëzakonshëm, që u reflektua nga të gjithë zyrtarët e institucionit,” shtoi ajo.
Pedagogia vuri në dukje një tension emocional gjatë fjalës së Dumani, duke pyetur nëse kjo ishte pasojë e ngarkesës së punës apo një mënyrë për t’u shfaqur si “viktimë” e situatës. Ajo theksoi se pyetjet e opozitës shpesh ishin pa takt dhe pa përmbajtje, duke mos shkuar në thelb të funksionimit të drejtësisë dhe përgjegjësive institucionale.
“Pyetjet duhej të ishin institucionale, konstruktive dhe në shërbim të drejtësisë, dhe jo të përqendruara tek individë të veçantë,” theksoi Gjyli. (A2 Televizion)
