Forumi i grave të PPE, Berisha: Jemi në narkodiktaturë, ju do ta mposhtni

Nga A2 CNN
29 Mars 2025, 17:16 | Politikë

Shqipërinë e quajti sërish narkodiktaturë dhe pohoi se instalimi i këtij regjimi sipas tij është bërë nga administrata e shkuar në SHBA, por u bekua edhe nga Bashkimi Evropian.

Berisha i quajti arrestimet e liderëve të opozitës shenja diktature.

“Nuk pranohet sepse ndërtimi i kësaj narkodiktature u mbështet nga administrata e shkuar e SHBA, por në njëfarë mënyrë u bekua me heshtje edhe nga BE”.

Gishtin e akuzës e drejtoi edhe ndaj sistemit të drejtësisë, ku theksoi sërish se shumë institucione duhen reformuar dhe pikënisja do të jetë nga SPAK.  

“Shqipëria ka një prokurori, e cila lavdërohet në mënyrë të paimagjinueshme gjerësisht. Por kjo prokurori speciale është një prokurori, e cila nuk prek asnjë aferë që shkon tek narkodiktatori”, tha Berisha.

Deklaratat i bëri nga konferenca ndërkombëtare e bordit ekzekutiv të Forumit të Grave në PPE. Berisha pohoi se do të jetë forca e gruas që do të mposhtin atë që ai e quan regjim. 

“Në momentet më të vështira këto nuk kanë ngurruar që të dalin ballë për ballë”, shtoi kreu i PD.

“Në ‘91, e takova Sali Berishën për herë të parë në Bruksel, u takuam dhe ma prezantuan si dikush që po bën demokracinë në vend dhe e kreu. Kemi pasur edhe probleme me njëri-tjetrin, por nëse je i hapur, duhet të thuash të vërtetën, nëse është ose jo në avantazhin e politikanëve. Në kohë të vështira, Shqipëria ka pasur shansin të jetë në BE. Erdha dje në Tiranë dhe thashë të gjej zemrën e Tiranës, por ishte shkatërruar nga Rama, që ishte zemra, Teatri Kombëtar”, u shpreh Doris Pack.

Berisha vlerësoi konferencën e Grave të PPE si një mbështetje të rëndësishme për Partinë Demokratike dhe lirinë në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos