Procesin që po vijon ndaj tij në Gjykatën e Posaçme, Sali Berisha e konsideron si antiligjor. Gjatë një konference me median, kreu i Rithemelimit u mor gjatë me prokurorin Arben Kraja dhe gjyqtaren Irena Gjoka, duke kërkuar dorëheqjen e tyre, për shkak të konfliktit të interesit.
“Arben Kraja ka dalë prej sistemit të drejtësisë për shkak të ligjit të lustracionit nga Sali Berisha. Dhe tani nuk mund të jetë sepse edhe në ligjin e ri. Gjykatësja që fshihet prapa emrit të burrit, jam Gjoka, nuk jam Maneku. Ministria e Drejtësisë e ka pranuar se ndaj saj në vitin 1996 është marrë masë disiplinore shkarkimi. E ka thirrur Ministria e Drejtësisë, ajo ka thënë nuk jam unë, se unë jam Gjoka, nuk jam Maneku. Ja, ky është procesi”, u shpreh ish-kryeministri.
Berisha tregoi edhe njëherë gatishmërinë për t’u përballur me drejtësinë, nëse respektohet Kushtetuta dhe kërkohet autorizimi i Parlamentit, për të cilin tha se edhe personalisht do të votonte në favor. Sa i përket zbutjes së masës së sigurisë ndaj Jamarbër Malltezit, duket se kjo nuk ndryshon vullnetin e ish-kryeministrit për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
“Dhëndri im ishte i burgosur politik dhe është i burgosur politik. Malltezi nuk u nxor nga burgu, ai u la në arrest shtëpie. Kjo nuk përbën asgjë. Ajo do shkonte në Strasburg menjëherë. Millonai e shpreh në sallën e gjyqit me guxim, se korrupsioni konsumohet edhe me zbatimin e ligjit”, shtoi Berisha.
Aksionin opozitar në seancën e fundit e quajti të suksesshëm, referuar vëmendjen që tërhoqi në mediat ndërkombëtare. Ndërsa mungesën e Lulzim Bashës në seancë e komentoi përmes vargjeve të himnit kombëtar.
“Nga lufta veç ai largohet kush është lindur tradhëtor”. (A2 Televizion)