Gazetari Koka: Zgjedhje të parakohshme pa një qeveri teknike, ëndrra në sirtar e Ramës

Nga A2 CNN
23 Shkurt 2026, 21:28 | Politikë

Gazetari Bledian Koka deklaroi se mundësia e zgjedhjeve të parakohshme pa krijimin e një qeverie teknike do të ishte skenari më i favorshëm për kryeministrin Edi Rama. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, ai u shpreh se situata politike është bërë delikate dhe se mazhoranca po përpiqet të fitojë kohë përballë presioneve të brendshme dhe ndërkombëtare.

Sipas Kokës, zhvillimet e fundit politike lidhen edhe me hetimet dhe debatet për korrupsionin, ndërsa ai përmendi si faktor edhe qëndrimet që vijnë nga partnerë ndërkombëtarë, përfshirë vende të Bashkimit Europian. Gazetari tha se retorika politike e qeverisë për “shtetndërtimin” është zbehur, duke theksuar se problemet infrastrukturore dhe institucionale po bëhen gjithnjë e më të dukshme, shkruan A2 CNN.

Ai shtoi se mazhoranca ka arritur deri tani të përdorë mekanizma ligjorë për të zvarritur procese të caktuara, por sipas tij hapësirat po ngushtohen dhe situata politike po hyn në një fazë më të ndjeshme.

Koka u ndal veçanërisht te skenari i zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se ato do të përbënin avantazh për kryeministrin vetëm nëse zhvillohen pa një qeveri teknike. “Zgjedhjet e parakohshme në çdo rast pa një qeveri teknike do të ishte ëndrra në sirtar e zotit Rama”, deklaroi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos