Protesta e PD jo e dhunshme, jashtë janë më agresive, policët na dhunuan... Bardh Spahia

Nga A2 CNN
23 Shkurt 2026, 16:39 | Politikë

Protesta e fundit e Partisë Demokratike është cilësuar nga Bardh Spahia si një “sukses i jashtëzakonshëm politik”. Në një intervistë për “Puls” në A2 CNN me moderatoren Bruna Çifligu. Sipas tij, protesta e zhvilluar më 20 shkurt shënoi një moment të rëndësishëm për opozitën, duke dëshmuar, sipas vlerësimit të tij, rritjen e pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisë.

Spahia theksoi se në kushtet kur, sipas tij, institucionet janë të kapura nga mazhoranca, protesta mbetet një nga mjetet kryesore të reagimit opozitar. Ai argumentoi se pjesëmarrja e gjerë tregoi se “forca reale” në vend është opozita dhe jo mazhoranca aktuale.

I pyetur për incidentet e raportuara gjatë protestës, përfshirë përdorimin e molotovëve dhe përplasjet me policinë, Spahia nuk i cilësoi ato si akte të dhunshme, por si reagim qytetar ndaj, sipas tij, përdorimit të tepruar të forcës nga ana e policisë.

“Partia Demokratike dhe opozita shqiptare bëhet iniciatore të protestave, pastaj reagimi qytetar sigurisht që është një reagim i cili shkon edhe përtej organizatorëve. Unë nuk i konsideroj të dhunshme, e konsideroj një reagim normal të qytetarëve. Mjafton t'i referoheni protestave të vendeve fqinje me ne, Italisë para pak javëve, Francës para pak ditëve e të tjera... Janë shumë herë më të dhunshme se ç’ka u pa në protestat e organizuara nga opozita shqiptare”, tha Spahia.

Ai mohoi që protestuesit të kenë sulmuar ambientet e Xhamisë së Namazgjasë, duke akuzuar policinë për hedhje të gazit lotsjellës në oborrin e saj. Spahia deklaroi se protesta është vetëm një nga format e opozitarizmit dhe paralajmëroi përshkallëzim të aksionit politik, përfshirë protestën e paralajmëruar më 28 shkurt. Sipas tij, qëllimi final mbetet rritja e presionit ndaj qeverisë dhe mobilizimi qytetar në të gjitha hapësirat publike e institucionale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos