Gazetari Roland Qafoku tha në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, se ka informacione që në Kancelaritë e Evropës po diskutohet për zgjedhje të parakohshme në Shqipëri.
Qafoku vuri në dukje se BE dhe SHBA janë bashkë në atë që e konsiderojnë si vija e kuqe në raport me politikën shqiptare, që është beteja ndaj SPAK-ut. Sipas gazetarit kërkesa e opozitës për qeveri teknike nuk është një opsion në tavolinë.
“Kam një informacion nga burime diplomatike konfidenciale që deri dje nuk shihej si opsion, por po diskutohet aktualisht për opsionin e zgjedhjeve të parakohshme. Jo qeveri teknike, ajo që kërkon opozita, sepse këtu është problemi tjetër pastaj, sepse me një opozitë tjetër, PS jo do ishte në vështirësi, por rrezikonte seriozisht pushtetin e saj. Diskutohet në kancelaritë e Europës për zgjedhje të parakohshme në Shqipëri. Se a do bëhet kjo? Unë s’di ta them sot, se do ishte një abuzim. Diplomatë të huaj janë duke diskutuar këtë opsion sepse përballë çdo insinuate, skeme, lëvizje që mund të bëjë mazhoranca, një gjë kuptoj unë që sulmet ndaj SPAK-ut dhe reformës në drejtësi s’i toleron kush. Këtu çuditërisht bëhen bashkë BE dhe SHBA-të. Derisa edhe BE, edhe SHBA, e quajnë vijë të kuqe betejën ndaj SPAK-ut, po diskutohen opsione për të gjetur një zgjidhje”, u shpreh Qafoku. (A2 Televizion)