PS kundër SPAK, imuniteti i Ballukut nuk dorëzohet, mjafton pezullimi

Nga Ervin Koçi
23 Shkurt 2026, 19:30 | Politikë

Dy muaj nga depozitimi, Këshilli i Mandateve mbylli shqyrtimin e kërkesës për imunitetin e Belinda Ballukut. Në përfundim PS doli me mendimin se mjafton masa shtrënguese e pezullimi dhe nuk duhet votuar heqja e imunitetit, ndërsa demokratët e cilësuan si mbrojtje politike.

Partia Socialiste vendosi t’i dalë kundër SPAK. Kërkesa për heqjen e imunitetit ndaj Belinda Ballukut nuk gjeti dakordësinë e shumicës në këshillin e Mandateve, e cila nëpërmjet relatorit të saj, Ulsi Manja do t’i kërkojë seancës rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme me argumentin se masa shtrënguese që është në fuqi, ajo e pezullimit, është e mjaftueshme.

Mbledhja u zhvillua me dyert të mbyllura dhe detajet e diskutimit i nxori në pah Gazment Bardhi i cili citoi prokurorët kur tha se persona të fortë kanë intimiduar dëshmitarët e çështjes hetimore ndaj Belinda Ballukut.

Përveç personave të fortë, të dyshuar të përfshirë në krim, por që po hetohet; intimidimi ka ndodhur edhe nga zyrtar publik, kabineti i ministres, që ka kërcënuar apo tentuar ti korruptoje dëshmitarët. Nuk japim më shume të dhëna sepse e kemi nën hetim dhe mbrohet nga sekreti hetimor”, tha Bardhi.

Po duke cituar prokurorët, Gazment Bardhi u shpreh se ndaj zëvendëskryeministres së pezulluar, rëndojë vepra penale që shkojnë 35 vite dënim.

Në masat e para të kërkuara znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg; sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg”, u shpreh Bardhi.

Imuniteti i deputetit funksionon si mekanizëm mbrojtës ndaj parlamentarëve në rast se ndaj tyre bëhet ndonjë hetim me prapavijë politike, gjë të cilën si prokurorët ashtu edhe avokatët e Belinda Ballukut e hodhën poshtë.

Sipas prokurorisë znj. Balluku apo avokatët e saj nuk kanë ngritur asnjë pretendim për ndikim politik/përndjekje politike nga prokuroria. Hetimi nuk ka sfond politik. Ky fakt u konfirmua edhe nga avokatët e znj. Balluku, të cilët u shprehen se nuk kanë ndonjë pretendim të këtij lloji”, tha Bardhi.

Zyrtarisht për kërkesën e SPAK kuvendi do të shprehet në datën 5 mars, kur është parashikuar edhe seanca e radhës dhe aty, socialistët do të votojnë për kërkesën e SPAK, e cila sipas orientimit të PS, mund të konsiderohet e rrëzuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos