
Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara në Tiranë, duke i lidhur ato me atë që e cilësoi si përhapje të narrativave të fabrikuara në rrjetet sociale.
Duke folur për atë që e quajti “revolucioni i flamingove”, Rama tha se në rrjet ishte përhapur një narrativë për një pretendim të rremë mbi pushtimin izraelit të bregdetit shqiptar.
“Qytetari mori një histori të tradhtisë kombëtare, një tjetër të provokimit fetar, një tjetër për një pushtim të jashtëm. Fabrikime të ndryshme u futën në botë të ndryshme emocionale dhe të gjitha i shërbenin gënjeshtrës strategjike”, u shpreh Rama.
Ai tha se, ndonëse qytetarët kishin arsye për të protestuar, sipas tij, në këtë rast protestat u drejtuan edhe ndaj një “armiku fantazmë”.
“Pasojat ishin reale. Qytetarët kishin arsyet për të protestuar, por ata papritur ishin duke protestuar kundër një fantazme tashmë. Frika u bë zemërim, zemërimi u bë mobilizim dhe fabrikimi u bë realitet”, deklaroi Rama.
(A2 Televizion)