Përfaqësuesit e PD-së së Berishës dhe asaj të Bashës kanë reaguar për mediat pasi Gjykata e Tiranës vendosi sot pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e Kuvendit Kombëtar të 2 Shtatorit, duke pranuar kërkesën e grupit të deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi.
Çlirim Gjata deklaroi se ajo pjesë që e konsideronte veten PD, tashmë ka rënë.
“Kërkuesi kërkon pezullimin, atë që kërkon edhe kundërshtari. Erdhën te ne, aty ku po vinë të gjithë.”
Ndërkohë, nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Lulzim Bashës, Indrit Sefa deklaroi se vendimi i sotëm nuk sjell asnjë lloj problematike në organizmin e brendshëm të Partisë Demokratike.
“Ne do të vijojë të funksionojë në bazë të statutit të 2 shtatorit”, deklaroi ai për mediat.
Kurse, përfaqësuesi i ankimimit të bërë nga Gazment Bardhit, Marash Logu, deklaroi pas përfundimit të seancës se, përmes këtij vendimi, Gjykata e Tiranës vendosi të lërë të mbyllur mundësinë që Basha, të bëhej kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.
“Gjykata e Tiranës vendosi sot që ëndrra e Lulzim Bashës për t’u bërë kryetar i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kundër vullnetit të demokratëve, do vazhdojë të qëndrojë e mbyllur në sirtarin e Lindita Nikollës.”
Gjyqi për ndryshimet statutore u pezullua me kërkesë të vetë grupit Basha. Tashmë do të pritet gjyqi për kërkesën e 7 deputetëve të PD-së, që kërkojnë të hiqet emri i Lulzim Bashës nga regjistri i partive pasi ka dhënë dorëheqjen. (A2 Televizion)