“Grumbulluesi i thotë fermerit “ik”, Salla dhe Braçe përplasen për “dëftesat tregtare të fermerëve”

Nga Marjo Brakaj
16 Korrik 2026, 15:35 | Politikë

Borxhet që grumbulluesit, tregtarët, eksportuesit dhe prodhuesit e produkteve bujqësore i kanë njëri-tjetrit kanë arritur në gati 10 milionë euro.

Ata që e pësojnë më shumë nga situata janë fermerët, që në finale nuk marrin ose u vonohet pagesa. Për të korrigjuar këtë problematikë të mbartur në vite qeveria ka hartuar projektligjin, “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, shkruan A2.

Ministri i Bujqësisë Andis Salla tha: “Projektligji mbështetet mbi dy instrumente kryesore ku i pari është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm. Ndërsa instrumenti i dytë është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të magazinuar. Në këtë rast, produkti që është prodhuar dhe depozituar në magazinë mund të përdoret si kolateral për financim. Në këtë mënyrë, ligji mbulon të gjithë ciklin ekonomik të prodhimit bujqësor, nga mbjellja deri te shitja e produktit”.

Me këtë nismë, fermeri ose çdo prodhues e paraqet faturën e shitjes, të propozuar me emrin dëftesë tregtare, në bankë për të kërkuar kredi, një mënyrë për të pasur likuiditetin e duhur. Por, për socialistin Erion Braçe miratimi i projektligjit nuk zgjidh problemin e bujqve nëse nuk shoqërohet me masa të tjera nga qeveria.

Deputeti socialist Erion Braçe u shpreh: “Shprehja që përdoret sot nga këta është: ‘Do ta lësh shalqirin me kaq lekë? Jo? Epo ik p*rdhu se nuk ta marr’. Kjo është marrëdhënia tregtare sot atje në fusha. Asnjë dëftesë tregtare nuk do ta mbrojë bujkun nëse nuk rregullojmë tregun, nuk rregullojmë sistemin fiskal dhe mbrojmë bujqit”.

Qeveria parashikon se me anë të projektligjit do të nxitet financimi në bujqësi, ndërsa fermerët do të prodhojnë më shumë.

Gjithashtu, synohet rregullim juridik i marrëdhënies fermer-grumbullues dhe zinxhir financimi për subjektet e përfshira në sektorin bujqësor. Zbatimi i kësaj nisme për ekspertë të sektorit bujqësor bëhet edhe më i vështirë për shkak të të tipologjisë së fermerit shqiptar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos