Hapet xhamia e Namazgjasë, Erdogan dhe Rama presin shiritin, besimtarët e prisnin prej vitesh

Nga Armend Pire
10 Tetor 2024, 22:57 | Politikë

Pritjes i erdhi fundi. Xhamia e Namazgjasë u hap pas 9 vitesh nga nisja e punimeve. Të shumtë ishin qytetarët dhe besimtarët që ishin vënë në radhë për të hyrë në objektin e kultit më të madh në Ballkan për myslimanët.

Hapja e portave përkoi me kohën e faljes së namazit të pasdites. Një pjesë e besimtarëve shfrytëzuan hapësirat e jashtme për t’u falur. Siparin e ceremonisë e nisi Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja, me recitimin e disa vargjeve kuranore. Besimtarët prisnin me padurim që xhamia e Namazgjasë të hapej, si godina e fundit e kultit që i mungonte Tiranës.

Nuk munguan as besimtarët e mbërritur nga vendet e rajonit, të cilët udhëtuan gjatë për të qenë pjesë e ceremonisë. Brohorimat u shtuan dhe telefonat u ngritën në afër, kur Erdogan dhe Rama iu afruan podiumit.

Presidenti Erdogan uroi besimtarët shqiptar për xhaminë ere, teksa pati një mesazh të drejtpërdrejt edhe për Netanjahun. Ndërkohë, kryeministri Rama, vlerësoi qeverinë turke për investimin e kryer në zemër të Tiranës për besimtarët myslimanë.

Në skenë u shfaq edhe imami turk, i shumëdiskutuar ditët e fundit, i cili bëri disa lutje për popullin shqiptar, atë turk dhe për myslimanët në Palestinë. Pas fjalimeve dhe ceremonisë zyrtare, Rama dhe Erdogan prenë shiritin përurues duke hapur zyrtarisht dyer të e xhamisë.

Kjo xhami pati një kosto prej 30 milionë euro dhe mendohet se do të ketë një kapacitet pritës për të paktën 5 mijë besimtarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos