Nga ballkoni i shtëpisë së tij ku po qëndron në arrest shtëpie, Sali Berisha ka folur për mbështetësit e tij, teksa ka bërë një koment edhe për hapjen e xhamisë së Namazgjasë këtë të enjte nga Presidenti i Turqisë, Erdogan dhe kryeministri Rama.
Berisha i bëri thirrje besimtarëve myslimanë që të hedhin poshtë “përpjekjen diabolike të Edi Ramës për përçarjen mes tyre”, siç tha ai, shkruan A2.
Të dashur miq, sot për komunitetin mysliman shqiptar ishte një ditë e veçantë. U inaugurua Xhamia e Namazgjasë. U inaugurua në tokën e Komunitetit Mysliman, të konfiskuar nga regjimi komunist dhe të rikthyer nga PD. Edi Rama e pengoi 11 vite sa qe kryetar bashkie dorëzimin e pronës komunitetit mysliman. Por më në fund, xhamia e madhe e Tiranës nisi ndërtimin me 17 prill të vitit 2013. U deshën 11 vite të përfundonte. E ndërpreu dhe e bllokoi sapo erdhi në pushtet, etj, etj. Por unë sot kam mirënjohje për të gjithë ata që me bujari financuan ndërtimin e saj. Thirrja ime për Komunitetin Mysliman Shqiptar është të përçmoni, të hidhni poshtë përpjekjen diabolike të Edi Ramës për përçarjen tuaj.
Përdorimin e xhamisë, tempullit të lutjeve ndaj Zotit, për të përçarë komunitetin mysliman. Mungesa në ceremoni e udhëheqësit shpirtëror të besimtarëve myslimanë, kryetarit të KMSH, ishte një ofendim për çdo besimtar mysliman.
Por Edi Rama është i angazhuar në mision për të përçarë fetë dhe besimet. Tre javë më parë, sikur të ishte i biri i Ajatollah Komeinit, shpalli në OKB krijimin e shtetit bektashi. Tre javë më parë, nuk fton kreun e KMSH, të zgjedhur nga vetë komuniteti. Në emër të PD dënoj këtë akt, por garantoj besimtarët se kjo parti në respekt të plotë të lirive fetare, besimeve fetare, do i përmbahet kushtetues të ndarjes së shtetit nga feja. Do respektojmë me admirim të madh tolerancën fetare dhe bashkëveprimin ndërfetar si vlerat më të arrira të shpirtit shqiptar”, tha Berisha. (A2 Televizion)