“Përplasen” për Izraelin, Erdogan flet në emër të Ramës kundër FETO-s, dhuron dronë kamikazë

Nga Fjorela Beleshi
10 Tetor 2024, 18:16 | Politikë

Pas një pritje të ngrohtë nga ana e Kryeministrit shqiptar Edi Rama, Presidenti turk Recep Tajip Erdogan, me një fjalim të shkruar, zgjodhi të ishte sërish i drejtpërdrejtë kundër Fetos, siç ka bërë edhe më parë në Tiranë.

Ndryshe nga herët e tjera, në daljen e vetme për media të kësaj vizite, Erdogan foli edhe në emër të shefit të qeverisë shqiptare, duke përdorur shumësin për luftën ndaj armiqve të tij.

“Diskutuam edhe çështjen e luftës së përbashkët kundër organizatave terroriste, veçanërisht kundër FETO, me mikun tim të dashur Ramën. Shpresoj që ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroristeve në mënyrë efektive përmes vendimeve që kemi marrë sot”, tha Erdogan, shkruan A2.

Këtë qasje të Presidentit turk, Kryeministri Rama zgjodhi ta kalonte në heshtje, ndonëse foli i dyti në radhë, ndryshe nga tradita e protokollit. Por dy liderët treguan se nuk bien dakord në gjithçka. Çështja që ndan Tiranën dhe Ankaranë lidhet me konfliktin Izrael-Gaza.

“Gjenocidi në Gazë është turpi ynë i përbashkët, i të gjithë njerëzimit. Ne si ndërkombëtar duhet të bëjmë çmos të sigurojmë armëpushim të përhershëm për të ofruar ndihma humanitare dhe të bëjmë presionin e nevojshëm mbi Izraelin. Sinqerisht besoj se Shqipëria do të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim”, tha presidenti turk.

“Kemi votuar në mënyrë të përsëritur në Këshillin e Sigurimit patjetër një armëpushim që duhet të nënkuptojë edhe lirimin e pengjeve, por për ne Hamasi dhe çdo burim i terrorit s’ka vend në të ardhmen paqësore që duhet të vendoset mbi dy shtete sovrane, Izraeli dhe Palestina, të cilat duhet të jetojnë të sigurta dhe askush s’duhet të vërë në pikëpyetje të drejtën e ekzistencës së tyre”, tha Erdogan.

Edi Rama u kujdes që t’i fliste Prishtinës zyrtare për vizitën e Erdogan në Beograd, gjatë të cilës mediat ndërkombëtare kanë shkruar se Turqia do të firmosë marrëveshje armatimi me Serbinë, shkruan A2.

“Republika e Turqisë, kur presidenti Erdoğan ishte kryeministër, e ka njohur Kosovën e para. një mik më të padiskutueshëm në të gjitha ditët sesa Turqia dhe presidenti, Republika e Kosovës nuk e gjen dot as gjëkundi”.

Duke respektuar traditën që në shtëpinë e mikut nuk mund të shkohet duarbosh, presidenti turk solli në Tiranë një dhuratë për Forcat e Armatosura.

“Gjithashtu do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për të përmbushur nevojat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, partnerit tonë strategjik, aleatit tonë të NATO-s në fushën e pajisjeve ushtarake dhe trajnimeve ushtarake”, tha Erdogan.

“Unë e çmoj posaçërisht dhuratën e presidentit sot në këtë kohë të trazuar kur bota ka marrë një drejtim, të çuditshëm për ta thënë me një fjalë të butë, për t’i dhënë ushtrisë së Republikës së Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikaze”, u shpreh Rama.

Shqipëria dhe Turqia firmosën 3 marrëveshje për sigurimet në bujqësi, hapjen e Njësisë Akademikë në Tiranë me Programet e Universitetit Politeknik të Stambollit si dhe një memorandum bashkëpunimi për komunikimin. Presidenti Turk dhe Kryeministri shqiptar vendosen sfidën e përbashkët që shkëmbimi tregtar mes dy vendeve të shkojë në vlerën e 2 mld dollarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos