
Pas deklaratave të kryedemokratit Sali Berisha se integriteti i prokurimeve publike ka shënuar rënie, ka reaguar në “X” kryeministri Rama.
“Hedh budallai i madh një gur në lumë dhe pastaj të vegjëlit bëjnë si të mençur për ta nxjerrë”, shkruan Rama. Ky i fundit vë në dukje se në fushën e integritetit dhe transparencës së prokurimeve publike Shqipëria po vlerësohet ndërkombëtarisht, si asnjëherë më pare.
Kryeministri thekson se me “Diellën” prokurimet publike do të arrijnë një nivel integriteti dhe shpejtësie që do ta rendisë vendin tonë në nivelin më të lartë europian.
“Hedh budallai i madh një gur në lumë dhe pastaj të vegjëlit bëjnë si të mençur për ta nxjerrë, duke thënë që integriteti i prokurimeve publike në Shqipëri paska shënuar rënie! Po se si e shënoi këtë rënie, kur në fakt Shqipëria u përfshi për herë të parë në portalin europian të matjes së integritetit të prokurimeve për shtetet e Bashkimit Europia, duke dalë më mirë se sa shumë prej tyre, këtë as i madhi e as të vegjëlit nuk kanë se si e thonë, sepse budallallëku ka kufi vetëm vetveten. Rëndësi ka që duan s’duan ata që s’duan, sot Shqipëria vlerësohet ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, edhe në fushën e prokurimeve, ku kemi bërë progres të madh dhe jemi ende në ngjitje, sepse me Diellën në prokurimet publike do të arrijmë brenda këtij mandati, një nivel integriteti e shpejtësie që do të na rendisë në nivelin më të lartë europian, falë Inteligjencës Artificiale”, shkruan Rama.
Më herët Berisha u shpreh se në vitin 2010-2012, integriteti i prokurimeve publike ishte 80 përqind, por ra pas qeverisjes Rama.
"Integriteti i prokurimeve publike pas kësaj periudhe ka rënë në një mesatare 70 përqind. Ka rënë me 10 pikë dhe jo vetëm kaq, por në vitin 2026, kjo rënie është në 66 pikë, është një rënie prej 14 pikësh. Një rënie dramatike", do të shprehej Berisha. (A2 Televizion)