
Kryeministri Edi Rama tha se në Shqipëri nuk ka antisemitizëm dhe se Shqipëria do të mbetet shtëpi për hebrenjtë. Në fjalën e tij në samitin Shqipëri-Izrael që zhvillohet në Tiranë, Rama falënderoi Izraelin për ndihmën që i dha Shqipërisë në mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike të Iranit dhe vlerësoi rritjen e turistëve izraelitë në vendin tonë.
“Shijoni ushqimin tonë, shijojeni mikpritjen tonë. Mos harroni kurrë që për hebrenjtë, Shqipëria është shtëpi dhe dëshiron të mbetet e tillë”, tha Rama, përcjell A2 CNN.
“Dhe çfarëdo mund të mendojnë shqiptarët për tema të ndryshme, për politikën, për qeverinë tuaj, ka një gjë që është absolutisht e sigurt, ambasadori mund t’ua garantojë, që nuk ka antisemitizëm në Shqipëri dhe hebrenjtë janë gjithmonë të mirëpritur”, shtoi ai.
Samiti Shqipëri-Izrael bën bashkë 40 kompani inovative izraelite për të garantuar sigurinë kibernetike dhe për të forcuar ekonominë e Shqipërisë dhe rajonit përmes teknologjisë së fjalës së fundit. (A2 Televizion)