Politologu Adri Nurellari ka paralajmëruar se një tjetër përshkallëzim i rrezikshëm mund të ndodhë me krizën në Lindjen e Mesme, duke theksuar rolin në rritje të milicive Huthi në kërcënimin e rrugëve kryesore të tregtisë ndërkombëtare.
Gjatë një interviste në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Nurellari u shpreh se Huthit, të cilët kontrollojnë rreth dy të tretat e territorit të Jemenit dhe një popullsi prej afro 25 milionë banorësh, kanë kapacitetet për të bllokuar një tjetër nyje strategjike globale: Ngushticën Bab-el-Mandeb.
Sipas tij, kjo ngushticë ka një rëndësi jetike për tregtinë ndërkombëtare, pasi lidh Oqeani Indian me Detin e Kuq dhe më tej me Detin Mesdhe. Nëse situata aty do të përkeqësohej dhe do të arrinte nivelin e tensioneve në Ngushtica e Hormuzit, pasojat për ekonominë globale do të ishin të ndjeshme.
“Do të kishim edhe një 15 për qind tjetër të tregtisë ndërkombëtare të bllokuar ose të vonuar,” u shpreh Nurellari, duke shtuar se anijet që synojnë të hyjnë në Mesdhe do të detyrohen të devijojnë rrugën.
Sipas analizës së tij, "transporti detar do të përballej me vonesa të konsiderueshme: deri në dy javë shtesë duke kaluar përreth Afrikës së Jugut përmes Kepi i Shpresës së Mirë, ose rreth 10–11 ditë për të arritur në portet kryesore evropiane si Roterdam".
Kjo, sipas politologut, do të sillte një rritje të ndjeshme dhe të paparashikueshme të kostove të transportit detar, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet globale dhe zinxhirët e furnizimit.
Në përfundim, Nurellari e cilësoi këtë zhvillim si “një tjetër hap të rrezikshëm përshkallëzimi”, duke paralajmëruar se kriza mund të thellohet më tej nëse tensionet vazhdojnë të përshkallëzohen në rajon. (A2 Televizion)